Presidentja Vjosa Osmani ka pritur të martën në takim Avokatin e Popullit, Naim Qelajn, me të cilin kanë diskutuar për Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, për të cilin Qelaj ka bërë të ditur se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Presidencës thuhet se Osmani është informuar për analizën që e ka bërë ky institucion rreth këtij ligji.
“Presidentja Osmani u informua edhe për analizën që e ka bërë ky institucion rreth Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, përkitazi me barazinë gjinore, çështje, të cilën Avokati i Popullit e ka ngritur edhe në takimin e fundit të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se ata diskutuan edhe për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar me institucionet homologe në vende të tjera, si dhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka bërë të ditur se Ligjin për Zgjedhjet do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese. Në konferencën e fundit për këtë vit, ai shtoi se për këtë i ka dërguar letër presidentes Vjosa Osmani.
Ka theksuar se nuk është në kompetencën e tij, nëse cili ligj u konvenon ose jo zyrtarëve politikë. Kjo pasi deklarata e tij në një debat në Kuvend u bë “mollë sherri”, ndërmjet presidentes Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti. Qelaj pohoi se Ligji për zgjedhjet ka tejkaluar atë për barazinë gjinore dhe këtë nuk e lejon Kushtetuta.