Fjalë Kyçe

Kushtetuesja vendos për Ligjin e pagave, urdhëron Kuvendin për ndryshime

Kushtetuesja vendos për Ligjin e pagave, urdhëron Kuvendin për ndryshime

Gjykata Kushtetuese ka publikuar të martën aktgjykimin lidhur me kërkesën e Avokatit të Popullit për Ligjin për pagat në sektorin publik.

Kushtetuesja urdhëron Kuvendin e Kosovës që brenda 6 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi “të ndryshojë dhe plotësojë paragrafin 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) të Ligjit të kontestuar, pavarësia funksionale, organizative dhe buxhetore e institucioneve të pavarura kushtetuese”.

Gjykata, njëzëri, ka vendosur që të deklarojë kërkesën e pranueshme dhe të konstatojë, njëzëri, që paragrafi 2 i nenit 2 (Fushëveprimi) dhe paragrafi 2 i nenit 45 (Shfuqizimi) në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 24.

“Për pasojë, bazuar në nenin 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, Gjykata ka urdhëruar Kuvendin që në periudhën prej gjashtë (6) muajsh pas hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi, të ndryshojë dhe/ose plotësojë nenet e lartcekura në pajtim me Kushtetutën dhe Aktgjykimin e Gjykatës, me sqarimin që në kontekst të (i) paragrafit 6 të nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit të kontestuar, të drejtat që ndërlidhen me shtesën në përvojën e punës duhet të saktësohen përmes ndryshimit/plotësimit të Ligjit të kontestuar nga Kuvendi, por me efekt nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi; ndërsa (ii) paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) të Ligjit të kontestuar, pavarësia funksionale, organizative dhe buxhetore e institucioneve të pavarura kushtetuese, interpretohet dhe zbatohet në përputhje me Kushtetutën dhe Aktgjykimin e Gjykatës. Kjo e fundit, marrë parasysh përgatitjet e nevojshme për zbatimin e këtij Aktgjykimi, ka përcaktuar që Aktgjykimi hyn në fuqi më 1 shkurt 2024”, thuhet në njoftim.

Avokati i Popullit para 9 muajsh e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Për këtë Ligj, Avokati i Popullit kishte pranuar mbi 100 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik.