Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj ka konfirmuar se kishte dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiçit. Ka thënë se s’mund t’i bëjë publike arsyet për shkak të hetimeve.
“Unë e kam dhënë pëlqimin. Arsyet nuk mund t’i bëj publike. Këto janë çështje të ndjeshme, janë çështje të hetimit”, ka deklaruar Isufaj, në konferencën e fundvitit të organizuar nga PSRK-ja.
Më 19 shkurt 2021, Prokuroria Speciale kishte kërkuar revokimin e urdhërarrestit ndaj Radoiçiçit ndërsa gjykata e kishte aprovuar këtë kërkesë më 23 shkurt 2021. Urdhërarresti ishte lëshuar në gusht të 2020-ës nën dyshimin se Radoiçiç ishte pjesë e një grupi të organizuar kriminal lidhur me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.
Ai ka thënë se urdhërarresti pastaj është rikthyer dhe po vazhdojnë hetimet, transmeton lajmi.net.
“Sa i përket udhërarrestit ndaj Radoiçiçit, ai është komplet çështje e brendshme e Prokurorisë, të jeni të sigurt se ne nuk mund të ndajmë shumë detaje për rastet që ne i trajtojmë. Ai s’ka qenë kurrë në paraburgim. Është tërhequr për një kohë urdhërarresti, i cili në ndërkohë iu ka rikthyer”, ka thënë Isufaj, shkruan “Betimi për Drejtësi”.
Isufaj ka komentuar edhe deklaratat e ish-prokurorit special, Sylë Hoxha, i cili kishte thënë se ka pasur njerëz që i kanë çuar fjalë për të tërhequr urdhërarrestin ndaj Radoiçiçit.
“Pyetne atë, pse ai s’ka ndërmarrë. Këtë informacion e kam marrë prej mediave. Kurrë s’ma ka thënë mua. Secili që ka mundur t’i thotë diçka ka mundur ta arrestojë”, ka thënë Isufaj.
“Asnjë aktakuzë për Banjskën”, Kryeprokurori Isufaj thotë se s’është çështje e Kryeministrit se kur ngritën aktakuzat
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka deklaruar se nuk është çështje e kryeministrit se kur ngritën aktakuzat e kur pushojnë hetimet.
Këtë përgjigje Isufaj e ka dhënë të premten në konferencën e fundvitit ku është pyetur për komentet e Kryeministrit Kurti, i cili tha se sistemi i drejtësisë përkundër informatave dhe fakteve s’ka ngritur ende asnjë aktakuzë për sulmin terroristë në Bansjkë.
“Nuk është çështje e tij ngritja e aktakuzave. Është çështje e sistemit të drejtësisë. Ne aktakuat i ngrisim kur kryjmë hetimet, kur kemi prova. Nuk mund të na tregojë kërkush kur duhet të ngrisim aktakuzë e kur duhet të pushojmë hetimet”, ka thënë Isufaj, në konferencën e organizuar nga PSRK-ja.