Kryeministri Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla kanë mbajtur një konferencë për media në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, në ditën e parë të liberalizimit të vizave.
Ata kanë përshëndetur edhe udhëtarët të cilët fituan të drejtën e një udhëtimi në Austri përmes kuizit që u mbajt nga Bashkimi Evropian.
Kryeministri Albin Kurti ka than se mbrëmë pas orës 00:00 ka hyrë në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave duke u hequr një padrejtësi që i është bërë Kosovës.
Sipas tij, ky mëngjes nuk ka pasur si të nis më mbarë.
Kurti ka thënë se pritjet kanë qenë të gjata dhe qytetarët janë privuar nga shumë mundësi.
“Kjo ditë është e rëndësishme. Po hiqet një padrejtësi e madhe dhe po fitohet edhe një e drejtë e madhe. Bashkë me të po forcohet edhe pasaporta jonë. Forcimi i dokumenteve tona të udhëtimit, është forcim i dinjitetit tonë si shtet në arenën ndërkombëtare. 50 qytetarë do të udhëtojnë për në Vjenë, ata e fituan këtë të drejtë në kuadër të fushatës tonë informuese. Për herë të fundit, urime liberalizimi i vizave”, ka thënë ai.
Kurti ka porositur se duhen plotësuar kërkesat dhe kriteret për udhëtim jashtë vendit.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se të gjithë e dinë se sa shumë është pritur para ambasadave.
“Sa kohë është humbur edhe në mërgatë duke siguruar ftesa. E dini se sa para janë shpenzuar për dokumente dhe procedura. E dini se sa jo dinjitoze kanë qenë pritjet në rrugë”, ka thënë ajo.