Fjalë Kyçe

Mustafa për ish-krerët e UÇK-së dhe Sali Berishën: Jemi në arrest mendor e intelektual, pak e meritojmë lirinë që e gëzojmë

Mustafa për ish-krerët e UÇK-së dhe Sali Berishën: Jemi në arrest mendor e intelektual, pak e meritojmë lirinë që e gëzojmë

Ish-kryeministri dhe ish-kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka shprehur shqetësimin e tij ndaj zhvillimeve të fundit në Shqipëri, ku lideri i njohur historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po qëndron në arrest shtëpiak lidhur me akuzat për korrupsion.

Mustafa ka shfrytëzuar rastin për të bërë një krahasim me situatën e ish-kryetarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë, duke ngritur pyetjen nëse kjo reprezenton një “drejtësi shtetërore” apo një “turp kombëtar”.

Ai tha se gjendemi në arrest mendor e intelektual, dhe se sipas tij, pak e meritojmë lirinë që e gëzojmë.

“Vështirë është të krenohemi këndej e andej kufirit kur luftëtarët kryesor të lirisë dhe liderët që e përmbysën diktaturën komuniste e kalojnë ndërrimin e moteve në burg dhe arrest në emër të popullit! Më mirë ta pranojmë se të gjithë ne jemi në arrest mendor e intelektual dhe se pak e meritojmë lirinë që e gëzojmë” u shpreh Mustafa.

Ndërsa të martën, dhjetëra mbështetës të Berishes janë grumbulluar te rrugica “Mustafa Matohiti” në mbështetje të Berishës që kryen aty arrestin në shtëpi.

Brohoritjeve të mbështetësve të tij dhe ovacioneve, Berisha i është përgjigjur duke dalë në dritaren e tij, duke i përshëndetur me dy gishta.

Dy ditë më parë Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për shtrëngimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin i dyshuar për kryerjen e veprës penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani.

Sali Berisha urdhërohet të mos largohet nga banesa ku do të jetë me mbikqyrje periodike policore dhe duhet të ketë kontakt vetëm me personat që jetojnë me të në të njëjtën banesë.

Gjithashtu i ndalohet komunikimi me persona që nuk janë familjarë.