Fjalë Kyçe

Krasniqi: Sivjet do të ketë zgjedhje

Krasniqi: Sivjet do të ketë zgjedhje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është i bindur se viti 2024 do të jetë vit zgjedhor në Kosovë. Në një intervistë për “EkonomiaOnline”, Krasniqi e ka quajtur vitin 2023 vit të humbur për Kosovën “për shkak të gabimeve dhe paaftësisë së Qeverisë Kurti”.

Sipas Krasniqit, zhvillimet në dialog dhe veprime të tjera të Kurtit do të bëjnë që zgjedhjet e parakohshme të mbahen sivjet.

“Unë besoj që kjo do të ketë ndikim edhe tek veprimet që ndërlidhen me zgjedhjet e parakohshme për të cilat unë jam i bindur që ne do t’i mbajmë në vitin 2024”, ka deklaruar Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se PDK-ja është e gatshme për zgjedhje. Ai ka deklaruar se edhe tubimet që ka pasur së fundmi VV-ja janë sinjal për përgatitje për zgjedhje.

“Ky është lajm i mirë. Sepse unë besoj që rikthimi tek kutit e votimit e tek verdikti qytetar do të japin një mundësi të re Kosovës për ta hequr këtë qeveri të papërgjegjshme nga pushteti dhe për t’i dhënë Kosovës një opsion alternativ për një qeverisje të përgjegjshme, e cila do të kthejë Kosovën në binarët e zhvillimit dhe të integrimit dhe që do të udhëhiqet nga ne”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova ka një politikë të jashtme në “vdekje klinike”, ka stagnim në ekonomi, shëndetësia është në kolaps, sikurse ka degradim edhe në arsim e fusha të tjera. Krasniqi theksoi se rritja ekonomike që parashihet të jetë rreth 3.5 për qind për vitin 2023, është jashtëzakonisht e vogël për një vend si Kosova me kaq shumë sfida, sidomos post-pandemike.

“Mbi të gjitha nën Qeverinë Kurti, për herë të parë ka ndodhur diçka që ka qenë e paparamendueshme: Kosova ka marrë sanksione nga Bashkimi Evropian, masa ndëshkuese konkrete, pezullim të rreth 300 milionë eurove të dedikuar për Kosovën dhe qytetarët e saj, pikërisht për shkak të qeverisë dhe për shkak të kryeneçësisë, gabimeve edhe mashtrimeve të kryeministrit”, ka thënë Krasniqi që ka akuzuar pushtetin për propagandë qeveritare aktive.

Një ndër arsyet kryesore të vendosje së sanksioneve, sipas Krasniqit, ka qenë “pabesia” e kryeministrit. “Janë marrë vesh për diçka e ai nuk e ka mbajtur fjalën”. Sipas kryetarit të PDK-së, askush s’e ka të qartë se çfarë do të ndodhë me draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne e kemi humbur respektin e partnerëve të rëndësishëm të Kosovës, pikërisht për shkak të këtyre arsyeve. Sepse njerëzit dëshirojnë që të kenë një parashikueshmëri në raporte, dhe me Kurtin nuk e kanë një gjë të tillë”, ka thënë ai duke shtuar se më nuk ka hapësirë për taktizime. “Nuk do të ketë rrugëdalje, përveç të marrë veprime dhe vendime, në javët e ardhshme. Nuk e pret bota Albin Kurtin me bë hajgare me ta, siç ka bërë deri tash”.

Mandati i Qeverisë Kurti përfundon në shkurt të vitit 2025./EO