12 zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) janë arrestuar dhe janë dërguar në ndalim për 48 orë nën dyshimin për mashtrim në detyrë.
Arrestimi i tyre u bë gjatë ditës së sotme në aksionin e Prokurorisë së Prishtinës dhe hetuesve të Drejtorisë së Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës.
Zyrtarët e arrestuar janë: Masar Zejnullahu, Nesim Bajrami, Safet Temaj, Avdi Jakupi, Muhamet Rafuna, Murtez Zeqiri, Milaim Berisha, Gazmend Gjocaj, Adil Paqarizi, Vllaznim Krasniqi, Agim Rama e Xhemajl Hertica.
Këta zyrtarë dyshohet se kishin pranuar 23 fatura fiktive nga F.P., një biznesmen nga Prizreni, i cili kishte aplikuar për rimbursim nga TVSH.
Faturat kishin vlerë 18 milionë euro ndërsa pretendohet se rimbursimi do të kapte vlerën 2,8 milionë euro.
Sipas komunikatës së Prokurorisë, zyrtarët e ATK-së dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Mashtrimi në detyrë’, ashtu që të dyshuarit, Feim Pulaj, i cili ka në pronësi tri biznese në Prizren, ia kanë njohur të rregullta 23 fatura fiktive në vlerë prej 18 milionë euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç se ishte i ndërtuar, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të dyshuarit tjerë, B.B., dhe B.B., të cilët janë pronarë të një biznesi në Podujevë dhe momentalisht janë në arrati.
“Si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milion euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur”, thuhet në komunikatë.
Pronari i hotelit ‘Lakeside’ në Vërmicë të Prizrenit, Feim Pulaj, i cili dyshohet se në bashkëkryerje me dy persona tjerë, dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për 2.8 milionë euro.
Gjatë aksionit në pronat e njërit prej të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar një sasi armësh, tri të gjata, tri të shkurtëra, pajisje elektronike, telefon e prova të tjera materiale.
Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor pritet që të parashtrohet kërkesa për paraburgim.