Claudia Tenney, kongresistja republikane, tashmë e njohur për qëndrimet kundër Kosovës dhe mbështetëse për Serbinë, ka dalë kundër blerjes së raketave “Javelin” nga Kosova.
Të enjten, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se ka miratuar kërkesën e Kosovës për blerje të 247 “Javelinëve” për 75 milionë euro dhe se e ka dërguar në Kongres kërkesën për miratim.
Në një reagim në Twitter, Tenney ka thënë se do të propozojë rezolutë që kundërshton shitjen e armëve për Kosovën.
“Pajtimi i Departamentit të Shtetit që të çojë raketa ‘Javelin’ në Kosovë është jashtëzakonisht nxitëse, sidomos kur tensionet janë të larta në Ballkanin Perëndimor. Vendimi vetëm i jep flakë dhe e bën edhe më të mundshëm shpërthimin e ndonjë konflikti”, ka shkruar ajo.
Tenney ka shtuar se Kosova “vazhdon të injorojë zotimet ndërkombëtare, përfshirë atë të Marrëveshjes së Brukselit 2013.
“Shtetet e Bashkuara s’duhet të vazhdojnë të armatosin dhe financojnë mospërfilljen e hapur të normave demokratike nga regjimi i Kurtit”, ka shkruar ajo në Twitter.
“E dimë se dërgimi i armëve shtesë në Kosovë s’do të shpije në paqe”, ka shtuar ajo duke thënë se do të propozojë rezolutë kundër shitjes së armëve në Kosovë.
Tenney tashmë njihet si kongresiste për përkrahje të Serbisë në raport me Kosovën. Ajo madje ka lavdëruar qëndrimin e Serbisë, pas sulmit terrorist në Banjskë.
Ajo është përkrahëse e zëshme e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.