Fjalë Kyçe

Vilat e vjehrrave të shefave të KGJK-së në Stankaj të Rugovës, nisin hetimet

Vilat e vjehrrave të shefave të KGJK-së në Stankaj të Rugovës, nisin hetimet

Ditë më parë është raportuar se në fshatin Stankaj të Bjeshkëve të Nemuna janë ndërtuar disa vila pa leje ndërtimi. E, në mesin e tyre siç është raportuar janë edhe vilat e bashkëshorteve të dy krerëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj e Qerim Ademaj, të cilat në 2019 u janë bartur vjehrrave të tyre.

Në lidhje me këtë Telegrafi ka kontaktuar zëdhënësin e Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçin i cili tha se është autorizuar Policia e Kosovës që të marrë veprime lidhur me këto vila të ndërtuara jashtëligjshëm në fshatin Stankaj.

“Prokuroria e Pejës ka autorizuar Policinë e Kosovës që të merr veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Nikçi.

Ndryshe, ditë më parë KOHA ka raportuar se Bjeshkët e Nemuna janë shndërruar në oazë të ndërtimeve pa leje. Sipas Kohës, në mesin e qindra prej tyre vetëm në fshatin Stankaj janë edhe vilat e bashkëshorteve të dy krerëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj e Qerim Ademaj, të cilat në 2019 u janë bartur vjehrrave të tyre.

KOHA u ka dërguar pyetje Zogajt dhe Ademaj e të njëjtit patën dhënë këto përgjigje:

“Bashkëshortja ime pronën në fjalë si pasuri e veçantë e saj pa ndryshuar gjendja e pronës ia ka dhuruar nënës së saj. Prona e blerë nga bashkëshortja ime ka qenë në pronësi private të ish-pronarit me dokumentacion të rregullt, e konfirmuar edhe nga zyra noteriale dhe zyra për regjistrimin e pronave, nga rrjedh se nuk ka qenë me asnjë status të kufizimeve për qarkullim”, thuhet në përgjigjen e Zogajt.

Ndërsa Ademaj ka thënë se përgjigjet mund të gjenden në formularët e deklarimit të pasurisë.

“Ju njoftoj se përgjigjet do t’i gjeni në formularët e deklarimit të pasurisë të deklaruar ndër vite nga ana ime në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ku në të njëjtit formular do gjeni edhe sqarimet lidhur me çdo pasuri të evidentuar në emrin tim dhe bashkëshortes sime, duke përfshirë mënyrën e fitimit, por edhe tjetërsimit të tyre”, thuhej në përgjigjen e Ademajt.

Ani se atyre iu është ndërruar pronësia, banorët e fshatit Stankaj vazhdojnë t’iu referohen atyre si vila të gjyqtarëve.

Ndonëse janë pa leje, mësohet se ndaj tyre nuk ka ende aktakuzë, ndonëse pak metra tej Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuza për banorë rezidentë të këtij fshati që ndërtuan pa leje.

“Unë edhe pse e kam në pronën time private dhe ka me vite që kam filluar të ndërtojë nga pak nga pak kanë ardhur dhe na kanë dërguar në Gjykatë për shkak se nuk kemi pasur të drejtë pa leje të ndërtojmë, por edhe lejen nuk kemi pasur ku ta marrim për shkak se ka rrënuar Parku dhe komuna nuk ka mundur asgjë të bëjë dhe na kanë dërguar në Gjykata jo vetëm mua, por të gjitha ndërtimet edhe në pronat private”, ka deklaruar Zenel Kurtaj, banor i fshatit Stankaj.

Në Komunën e Pejës thonë se nuk kanë lëshuar asnjë leje ndërtimi në atë pjesë, pasi që nga viti 2013 ajo është kompetencë e Drejtorisë së Parkut Kombëtar.

“Ne nuk kemi lëshuar leje pasi që nga 2015 nuk është nën menaxhimin e Komunës, është nën menaxhimin e Ministrisë dhe nuk kemi pasur të drejtë të lëshojmë leje dhe ne nuk kemi lëshuar leje”, ka theksuar zëdhënësi i Komunës, Faik Zekaj.

Në Drejtorinë e Parkut Kombëtar kanë thënë se asnjë ndërtim në atë zonë nuk ka leje.

E në Prokurorinë e Pejës thonë se në vazhdimësi kanë pranuar kallëzime penale nga Drejtoria e Parkut dhe nga Policia nën dyshimet për vepra penale ndërtime pa leje.

“Nuk e kam numrin e saktë, por rreth 200 aktakuza në trevën e Rugovës, ndërsa sa i përket Parkut kombëtar mund të themi se i kemi rreth 300 aktakuza të ngritura nga viti 2019 e deri më tani. Për çdo person që ka rënë ndesh me elementet e veprës penale ndërtimet pa leje prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të zhvillojnë proceset hetimore”, ka deklaruar zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.

Bjeshkët e Nemuna janë shpallur zonë e mbrojtur nga viti 2013 dhe deri më tani nuk është miratuar ende Ligji për Planin Hapësinor, që do të lejonte ndërtimet në zona të caktuara.