Fjalë Kyçe

Ngritet aktakuzë për keqpërdorim të detyrës ndaj një zyrtari të Komunës së Dragashit

Ngritet aktakuzë për keqpërdorim të detyrës ndaj një zyrtari të Komunës së Dragashit

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.S., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, me datë 07.09.2021 në Dragash, në cilësinë e personit zyrtar – referent pranë Zyrës kadastrale të Drejtorisë për urbanizëm, kadastër dhe mbrojtjen e mjedisit të Komunës së Dragashit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij.

“…me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që t’i shkel të drejtat e këtij të fundit, vepron në kundërshtim me Ligjin për themelimin e regjistrit të të drejtave të pronës së paluajtshme, në atë mënyrë që ngastrat kadastrale: P-457, P-1478 dhe P-2138 të Zonës Kadastrale të fshatit Brezne – Komuna e Dragashit, me pronar ekzistues D.B., pa bazë juridike dhe procedurë të rregullt ligjore, të njëjtat i regjistron në emrin e qytetarit H.B., duke ia lëshuar të njëjtit certifikatën e pronësisë së datës 07.09.2021, e cila certifikatë është në kundërthënie të plotë me certifikatën e pronësisë së datës 14.08.2018 lëshuar nga po i njëjti autoritet, qytetarit – të dëmtuarit D.B”, thuhet në komunikatën për media të prokurorisë.

Ndërsa, me datë 02.11.2021 jashtë çdo autorizimi lidhur me detyrën e tij zyrtare, i njëjti ka përpiluar shpjegimin me shkrim për Gjykatën, të cilin e ka nënshkruar dhe vulosur me vulën zyrtare të autoritetit kadastral.

“Madje pa e protokolluar fare të njëjtin, ia dërgon Gjykatës, në të cilin shpjegim i ka paraqitur sqarimet – arsyet e tij se përse i ka regjistruar ngastrat e lartpërmendura kadastrale nga pronari ekzistues D.B., në personin tjetër H.B., me çka i shkakton dëm të dëmtuarit D.B., në vlerën e ngastrave kadastrale prej 250,000.00 euro”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.