Fjalë Kyçe

O’Brien: Reformat ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor, “steroide për ekonominë”

O’Brien: Reformat ekonomike të BE-së për Ballkanin Perëndimor, “steroide për ekonominë”

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Azi, Jim O’Brien deklaroi të enjten se Ballkani Perëndimor ka një mundësi të re për të qënë pjesëmarrës në tregun e përbashkët evropian duke pranuar reformat dhe bashkëpunimin që do të çojnë drejt rritjes ekonomike.

Para një audience të mbledhur në organizatën German Marshall Fund në Uashington, zoti O’Brien foli të enjten rreth përparësive të administratës Biden për Evropën dhe Azinë, gjatë viti të fundit të mandatit të saj.

Veç mbështetjes për Ukrainën në luftën kundër Rusisë, Ndihmës-sekretari O’Brien iu referua edhe Ballkanit Perëndimor, duke thënë se puna e përbashkët ndërmjet Bashkimit Evropian me Shtetet e Bashkuara në këtë rajon i kontribuon sigurisë dhe interesave të përbashkëta transatlantike.

“Sinqerisht, të gjithë ndjejnë një lodhje nga të premtuarit e një rrugë drejt BE-së dhe kurrë duke mos u futur tamam në të dhe Brukseli e ka kuptuar këtë. Mendoj se ka jo vetëm një frymë tjetër të shteteve anëtare të BE-së se si t’i qasen rajonit, por ata po krijojnë edhe disa mekanizma inovativë,” theksoi ai.

Ai tha se Ballkani Perëndimor tani është në pritje të miratimit përfundimtar të “planit të rritjes” së BE-së për rajonin dhe se Shetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin reformat që lidhen me këto përpjekje.

“Gjëja qenësore është se në shkëmbim të disa reformave të caktuara, çdo shtet, pa veto nga shtetet tjera, do të mund të përfitojë nga pjesëmarrja në sektorë të caktuar të tregut të përbashkët evropian. Këto janë steroide për ekonominë dhe kjo mund të ndodhë së shpejti,” deklaroi zoti O’Brien.

Diplomati i lartë amerikan, i cili ka shërbyer në pozita të ndryshme në administratat e mëparshme demokrate, përfshirë si këshilltar i Sekretares amerikane të Shtetit Madeliene Albright gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, tha se udhëheqësit e Ballkanit janë përkushtuar për një sërë reformash të veçanta, siç është lehtësimi i transportit të mallrave dhe transfertave bankare që gjatë këtij viti do të tregojnë rezultate të prekshme.

Ai theksoi se aktualisht të gjithë udhëheqësit e rajonit pajtohen për nevojën që të jenë pjesëmarrës në reforma në këmbim të mundësive për të rritur ekonomitë e tyre.

Duke iu referuar takimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Shkup këtë javë, zoti O’Brien tha se fakti që udhëheqësit e rajonit pajtohen se rruga e vetme përpara është drejt integrimit evropian dhe ata e kanë të qartë se duhet bërë më shumë, është një ndryshim i vërtetë krahasuar me katër-pesë vite më parë. Kjo mundësi unike nuk duhet humbur, tha ai.