Departamenti Amerikan i Shtetit ka ripërsëritur kërkesën e administratës amerikane për përparim në zbatimin e marrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, derivat i procesit të dialogut i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Në një konferencë për media zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel, ka potencuar se konstruktiviteti dhe mirëbesimi do të jenë tiparet të cilët do të sjellin përfitime të përhershme si Kosovës ashtu edhe Serbisë.
“Ne besojmë se angazhimi konstruktiv dhe përpjekjet e sinqerta në mirëbesim të Kosovës dhe Serbisë do të sjellin përfitime të përhershme për qytetarët, duke përfshirë rritjen ekonomike, dhe do të sigurojnë stabilitet afatgjatë rajonal. Ne duam të shohim përparim në zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme në dialog, dhe ne gjithashtu besojmë se kjo është në interesin më të mirë të të gjitha palëve”, ka thënë Patel.
Ndryshe gazetarja serbe, Ksenija Pavloviç McAteer, që raporton nga Uashingtoni, shkroi ditë më par se një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, i ka thënë se ShBA-të do t’i bëjnë thirrje Kosovës që ta rishqyrtojë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për vendimin që në Kosovë të përdorët vetëm një valutë euro.
Komentet e zyrtarit të DASH për gazetaren Pavloviç kanë ardhur pas ankesave të shtetit serb se vendimi i Kosovës afekton serbët e Kosovës, meqë ata i pranojnë të gjitha ndihmat nga Serbia në dinarë.
“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë këtë vendim, të konsultohet me komunitetet e prekura, t’i përgjigjet shqetësimeve të shprehura nga bashkësia ndërkombëtare dhe të ofrojë kohë të mjaftueshme që vendimet e saj të zbatohen në mënyrë që të zbusë ndikimin që ato vendime do të kenë në qytetarë”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i DASH-it.
Zëdhënësi i DASH-it, siç raporton “The Pavlovic Today”, është shprehur i shqetësuar se vendimi i BQK-së do të ketë impakt negativ në komunitetin serb në Kosovë.
Departamenti i Shtetit nënvizoi se, në përputhje me ligjin e Kosovës dhe zotimet e marra sipas Planit të Ahtisaarit, Serbia “ka të drejtë të ofrojë ndihmë financiare për anëtarët e komunitetit etnik serb në Kosovë”.
“Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të kërkojmë nga Kosova që të përmbushë zotimin e saj për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASM)”, ka thënë zëdhënësi.
“Asociacioni është mekanizmi primar përmes të cilit Serbia në mënyrë transparente mund të ofrojë mbështetje financiare për institucionet dhe individët sipas kornizës ligjore të Kosovës”, ka sqaruar më tej ai.