Fjalë Kyçe

Dënohen me 5 vite e pesë muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë dy të akuzuarit për tentim vrasjen e avokatit Halilaj

Dënohen me 5 vite e pesë muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë dy të akuzuarit për tentim vrasjen e avokatit Halilaj

Gjykata Themelore e Prishtinës, i ka dënuar me 5 vite e pesë muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë Ibrahim Lushtakun dhe Xhelal Zeqirin, të cilët akuzoheshin për tentim vrasjen e avokatit Gazmend Halilaj.

Aktgjykimi ndaj Lushtakut dhe Zeqirit u shpall të hënën nga gjykatësja Alltën Murseli.

Fillimisht gjykata bëri ricilësimin e veprës penale nga “Vrasja e rendë në tentativë” në “Vrasje në tentative” dhe për këtë vepër penale i akuzuari Zeqiri u dënua me 3 vite burgim, ndërsa Lushtaku me 2 vite e 5 muaj burgim.

Po ashtu Lushtaku për veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” iu shqiptua dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë euro.

Gjykata ndaj dy të akuzuarve ka shqiptuar edhe dënim me gjobë (për secilin veç e veç) në shumën prej 1 mijë euro për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, për të cilën vepër e kishin pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar.

Në dënimin e shqiptuar me burgim të pandehurve do t’iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Të njëjtit obligohen që t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës, në emër të paushallit gjyqësor në shumë prej 300 euro dhe për fondin e kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 50 euro, në afat prej 15 ditësh.

Gjithashtu do të konfiskohet arma e përdorur nga të akuzuarit gjatë kryerjes së veprës penale.

Ndryshe, në këtë rast i akuzuari ka qenë edhe ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili pasi ka pranuar fajësinë, është shpallur fajtor për kanosjen e avokatit Gazmend Halilaj.

Më 28 tetor 2020, Lushtaku si dhe i akuzuari Zeqiri e kishin pranuar fajësinë vetëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, derisa ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë.

Ibrahim Lushtaku nuk e kishte e pranuar fajësinë as për veprën penale të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë.

Sipas aktakuzës, pasi që avokati Gazmend Halilaj kishte bërë një shkrim në rrjetin social “Facebook”, më 11 prill 2020, kundër Sami Lushtakut, kushëriri i këtij të fundit, Ibrahim Lushtaku, me qëllim të hakmarrjes dhe në bashkëkryerje edhe me të akuzuarin Zeqiri, më 14 prill 2020, ia kishin zënë pritën Halilajt.

Në aktakuzë thuhet se, me të parë Halilajn, i akuzuari Ibrahim Lushtaku me dashje që ta privojë nga jeta, e ka goditur fuqishëm veturën e të dëmtuarit Halilaj, ashtu që në këtë moment ky i fundit kishte dalë nga vetura dhe kishte filluar të ikë. Sipas aktakuzës, edhe të akuzuarit Lushtaku dhe Zeqiri kishin dalë pastaj nga vetura dhe kishin shtënë me armë në drejtim të Halilajt por nuk kishin arritur ta godasin.

Me këto veprime, prokuroria i akuzon Ibrahim Lushtakun dhe Xhelal Zeqirin se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë, raporton Betimi për Drejtësi.

Për shkak se sipas aktakuzës, i kishte shkaktuar dëme në lartësi prej 2 mijë e 700 euro veturës së të dëmtuarit Halilaj, Ibrahim Lushtaku akuzohet nga prokuroria edhe për veprën penale të “asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë”.

Po ashtu, Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri akuzohen edhe se në kundërshtim me ligjin për armët kanë mbajtur armë pa leje. Lushtaku akuzohet se ka mbajtur pa leje një revole të tipit “Ekol”, kurse Zeqiri një armë të tipit “Crvena Zastava”.

Me këtë, të dy këta akuzohen për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë./BetimipërDrejtësi