Fjalë Kyçe

Gjilan, Policia konfiskon rreth 900 shishe birra kontrabandë nga Serbia

Gjilan, Policia konfiskon rreth 900 shishe birra kontrabandë nga Serbia

Policia e Kosovës sot në tri raste ka konfiskuar rreth 900 shishe birra që po futeshin kontrabandë nga Serbia në Kosovë, saktësisht në fshatin Pogragjë të Gjilanit.

Sipas njoftimit të policisë, Njësia e Task Forcës – DRK Lindja, sot më 30.01.2024, rreth orës 16:35, në kuadër të luftës për parandalim dhe luftim të veprave të kundërligjshme, e në veçanti kontrabandës, në hyrje të fshatit Pogragjë të Gjilanit, ka ndalur për kontroll automjetin Passat me targa të Serbisë, i cili drejtohej nga i dyshuari S.B., (viti i lindjes 1994, mashkull serb kosovar).

“Në veturë ka qenë edhe një pasagjer tjetër. Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur dhe janë sekuestruar një sasi prej 287 copë shishe me nga 0.5 litra birra, për të cilat i dyshuari nuk kishte poseduar dokumentacion përcjellës mbi transportin dhe prejardhjen e tyre. Dyshohet që birrat janë sjell përmes rrugëve ilegale nga Serbia duke iu shmangur kontrollit doganor”, thuhet në njoftim.

Po sot, rreth orës 16:35, në hyrje të fshatit Pogragjë të Gjilanit, Njësia e Task Forcës – DRK Lindja ka ndalur për kontroll automjetin Audi me targa të Serbisë drejtuar nga i dyshuari M.S., (viti I lindjes 1993, mashkull serb kosovar).

Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur dhe janë sekuestruar një sasi prej 297 copë shishe me nga 0.5 litra birra për të cilat i dyshuari nuk posedonte dokumentacion përcjellës mbi transportin dhe prejardhjen e tyre dhe dyshohet që birrat janë sjell rrugëve ilegale nga Serbia duke iu shmangur kontrollit doganor.

Rasti tjetër gjithashtu ka ndodhur sot rreth orës 16:35, në hyrje të fshatit Pogragjë të Gjilanit ka ndalur për kontroll automjetin e markës Mercedes, me targa të Serbisë, drejtuar nga i dyshuari S.D., (viti i lindjes 1994, mashkull serb kosovar).

Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur dhe janë sekuestruar një sasi prej 300 copë shishe me nga 0.5 litra birra të cilat i dyshuari nuk kishte dokumentacion përcjellës mbi transportin dhe prejardhjen e tyre dhe dyshohet që birrat janë sjell rrugëve ilegale nga Serbia duke iu shmangur kontrollit doganor.

Lidhur me rastet është njoftuar prokurorja kujdestare, e cila ka urdhëruar inicimin e rasteve, të cilat do të vazhdojnë në procedurë të rregullt. Malli i sekuestruar së bashku me automjetet i dorëzohen Doganës së Kosovës, njofton Policia.