Fjalë Kyçe

Ministri Sveçla konfirmon aktivitetin ilegal në qendër të Prishtinës, thotë se “paraqet rrezik për sigurinë”

Ministri Sveçla konfirmon aktivitetin ilegal në qendër të Prishtinës, thotë se “paraqet rrezik për sigurinë”

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është deklaruar për aksionin e mbrëmjes së sotme ku u mbyll një objekt pasi dyshohej se funksiononte ilegalisht, shkruan Reporteri.net.

“Në mëngjesin e sotëm kemi pranuar informatën mbi aktivitetin e dyshimtë të një Organizate Joqeveritare, e vendosur në një aneks të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë”, shkroi Sveçla.

Sveçla tha se Departamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të MPB-së ka konfirmuar se organizata në fjalë “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve.

“Pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je”, shkroi ai.

Kësisoj, thotë ministri Sveçla “kemi njoftuar institucionet përkatëse të sigurisë dhe është konfirmuar se e njëjta ka veprimtari ilegale gjë e cila është vërtetuar pas hyrjes së Policisë dhe Prokurorisë brenda objektit”.

“Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit”, tha Sveçla.

“Republika e Kosovës është shtet unitar me të drejta e shërbime për gjithë qytetarët pa dallim. Ka kaluar koha kur në vendin tonë tolerohej paligjshmëria”, përfundoi ai.