Fjalë Kyçe

Në seancë private vazhdon dëshminë dëshmitari i 44-të i ZPS’së në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në seancë private vazhdon dëshminë dëshmitari i 44-të i ZPS’së në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon sërish dëshminë dëshmitari i 44-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) i cili mbanë kodin 04325 në gjykimin ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Që nga fillimi, seanca kaloi në sesion privat dhe si e tillë po vazhdon me arsyetimin për mbrojtjen e identitetit të dëshmitarit pasi që është me masa mbrojtëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të gjithë të akuzuarit janë prezent fizikisht në sallën e gjyqit përveç Jakup Krasniqit. Ky i fundit dhe gjyqtari Christoph Barthe janë të pranishëm përmes video-lidhjes.

Vlen të theksohet se dëshmitari i 44-të filloi dëshminë e tij me 30 janar 2024 dhe sot është dita e tretë e dëshmisë së tij.

Të martën, avokati mbrojtës i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka kërkuar që dëshmia e tij të dëgjohet në seancë publike. Sipas tij, ky dëshmitar ka pranuar se ka gënjyer dhe është përpjekur që të manipulojë procesin gjyqësor për llogari të shërbimit sekret serb.

Kurse, Zyra e Prokurorit të Specializuar e përfaqësuar nga prokurori Matt Halling pati kundërshtime për parashtrimin e Emmersonit lidhur me dëshmitarin e 44-të të ZPS-së.

Lidhur me këto parashtrime, kryetari i trupit gjykues vendosi që ta rrëzojë kërkesën e avokatit Emmerson, kështu që dëshmia e dëshmitarit të 44-të të ZPS-së të dëgjohet në sesion privat.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.