Policia ka nisur hetim për një rast që e ka cilësuar si vdekje e dyshimtë. Të premten, një burrë në Skenderaj e ka kërkuar ndihmën e policisë dhe mjekëve për djalin e tij të sëmurë mental.
Njësitë kanë shkuar në shtëpinë e tij, por siç raportohet, djali ishte mbyllur në dhomë. Policia dhe ekipi mjekësor meqë s’kanë arritur të komunikojnë me të, janë larguar fillimisht pa e takuar.
Rreth dy orë më pas, babai i djalit sërish ka kërkuar ndihmë e ekipi atëherë i ka dhënë qetësues djalit. Minuta më pas, thuhet në raportin e PK-së, djalit i është keqësuar gjendja dhe ka pësuar sulm kardiak.
Autoritetet e kanë dërguar trupin e djalit për obduksion në Prishtinë dhe rasti është nën hetim.
“Rreth orës 07:00, ankuesi mashkull kosovar ka kërkuar një ekipi mjekësor që të shkojë në shtëpinë e tij dhe t’i jepet ndihme mjekësore djalit të tij pasi ishte i sëmurë mental. Dy njësi policore së bashku me ekipin mjekësor kanë shkuar në shtëpinë e tij, dhoma e personit ishte e mbyllur me çelës nga brenda. Derisa policia dhe ekipi mjekësor kanë provuar të komunikojnë me të, i njëjti nuk ka pranuar të komunikojë me ta. Pas kësaj policia dhe ekipi mjekësor janë larguar nga ai lokacion. Rreth orës 09:40 në Stacion Policor është paraqitur prapë ankuesi pasi që sipas tij e kishte hapur derën ku qëndronte djali i tij dhe ka kërkuar që t’i dalin në ndihmë ekipi mjekësor. Rreth orës 09:45 të dy njësitë policore së bashku me ekipin mjekësor kanë shkuar prapë në atë lokacion ku nga ekipi mjekësor i është dhënë një qetësues, por pas disa minutave personit iu ka keqësuar gjendja në frymëmarrje dhe është dërguar në QKMF Skenderaj për trajtim, por mjeku kujdestar rreth orës 09:50 ka konstatuar vdekjen e tij pas një sulmi kardiak. Në QKMF Skenderaj ka dalë patrulla policore dhe njësiti i hetimeve të stacionit dhe njësiti i hetimeve rajonale. Rreth orës 12:37 ekipi i mjekësisë ligjore e kanë marrë viktimën dhe e dërgojnë ne institutin e mjekësisë ligjore në Prishtinë. Lidhur me rastin është njoftua prokurori”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.