Ish-drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka reaguar pas shkarkimit të tij nga kjo detyrë të premten nga kryetari Përparim Rama.
Nëpërmjet një adresimi virtual, Musliu ka thënë se ka pritur trajtim më njerëzor dhe më profesional nga ana e Ramës, teksa njoftimin e tij për shkarkim e ka quajtur të pasinqertë dhe të pasaktë në përmbajtje.
“Jam totalisht i habitur dhe i shokuar nga ky vendim për faktin se me angazhimin, punën dhe vullnetin e rezultatet e shkëlqyera që i kemi pasur si drejtori, gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë me kryetarin Rama, e ku këtë më së miri e dëshmon fakti që rreth 70 për qind e rezultatit të punëve nga kryetari janë të drejtorisë së drejtuar nga unë. Për këtë arsye e kam pritur një trajtim njerëzor fillimisht, e më pas edhe profesional. Akoma më shumë jam i habitur për faktin se një ditë para këtij vendimi diskutuam dhe e njoftova për projektin e parkingut solar në parkun e Gërmisë, për çka edhe u përgëzova e në të njëjtën kohë dakorduam edhe për datën e këtij projekti që ishte java e parë e muajit mars. Në asnjë moment nuk ka përmendur ndonjë pakënaqësi rreth performancës sime, përkundrazi pata vetëm përgëzime për energjinë, punën dhe angazhimin. Kulmi ishte që njoftimin e mora në një kanal jozyrtar, nëpërmjet një njoftimi në ‘Facebook’, me një status të pasinqertë dhe të pasaktë në përmbajtje”, ka thënë Musliu.
Sipas tij, e vetmja arsye për lirim nga detyra ishte revanshi politik.
“Ai duke u gjendur në një situatë aspak të mirë për shkak të zhvillimeve të fundit në kryeqytet, konsistencën për mospërkrahje të vendimit mbi Badovcin, mori vendimin për lirimin tim nga detyra si provokim të ulët politik ndaj partnerit të koalicionit”, është shprehur më tej Musliu.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka liruar nga puna drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, i cili vjen nga radhët e PDK-së. Ai ka thënë se këtë po e bën për shkak të gjendjes alarmante lidhur me menaxhimin e mbeturinave.
Rama ka theksuar se tash e një vit ka kërkuar në vazhdimësi nga drejtoria zgjidhje të kësaj situate të cilën e ka konsideruar si alarmante dhe të papranueshme dhe se nuk ka pasur zgjidhje por përkeqësim.