Fjalë Kyçe

Peci: Pas vitesh tjetërsimi, prona 4-milionëshe në emër të një serbi i kthehet Ministrisë

Peci: Pas vitesh tjetërsimi, prona 4-milionëshe në emër të një serbi i kthehet Ministrisë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se ka arritur që pronën e saj që gjendet në Zonën Industriale Prishtinë-Pejë, pas shumë vitesh keqpërdorimi e tjetërsimi ta kthej në emër të saj.

Kështu ka bërë të ditur ministri Faton Peci në një konferencë për media, të cilën e ka mbajtur në hapësirat e kësaj prone, vlera e së cilës arrin në katër milionë euro.

Sipas Pecit, pas pronave në Ulpianë dhe Stankaj të Pejës, ky rast është një ndër më bizarët që ka ndodhur si tentim për tjetërsim dhe abuzim flagrant të pronave shtetërore.

“Si vazhdimësi e sensibilizimit vazhdojmë që ta njoftojmë opinionin publik dhe organet e rendit e drejtësisë, për shkeljet flagrante ligjore, të cilat kanë autorë e për të cilët institucionet e drejtësisë duhet të japin vendimin dhe epilogun meritor. E na është dashur shumë angazhim dhe sensibilizim publik e kërkesa ndaj institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve: Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe Drejtorisë për Kadastër të Komunës së Prishtinës për dhënien e historiatit të mënyrës së bartjes së kësaj prone nga MBPZHR-ja te Jovica Deniqi. E si rezultat i këmbëngulësisë sonë, akterët e lartcekur që kanë marrë vendime skandaloze dhe kriminale me vite në përvetësimin e pronës shtetërore tek individë e konkretisht të kësaj ngastre në vlerë rreth 4 milionë euro; prona i është kthyer titullarit, Ministrisë së Bujqësisë”, ka thënë Ministri Peci.

Ai ka treguar se nga të dhënat që posedojnë, që nga viti 2010 deri në vitin 2020 janë rreth 100 hektarë tokë të tjetërsuara, objekte e prona afariste, që kanë ndërruar titullarin në mënyrë të dyshimtë përmes metodës së identifikimit të disa pjesëtarëve të komunitetit serb, ish-zyrtarë të Institutit të Bujqësisë së Kosovës.

“Secili duhet ta bartë peshën e përgjegjësisë karshi këtyre veprimeve skandaloze e kriminale dhe të përballet me organet e rendit dhe drejtësisë. Ofroj bashkëpunimin tim si Ministër organeve të rendit dhe drejtësisë për çdo informacion që posedojmë si institucion”, ka thënë Ministri Peci.

Ndryshe, kjo parcelë me numër 1559/1 me një sipërfaqe prej 1 hektar e 34 ari, pronë e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në vitin 2020 është bartur te pronari Jovica Deniq.

“Në aktvendimin e nxjerrë nga Agjencia Kadastrale e Kosovës në dhjetor të vitit 2020, ishte obliguar Drejtoria e Kadastrit e Komunës së Prishtinës që të bëjë ekzekutimin e Aktgjykimit të shtatorit të 1996, ku parcela i është bartur në pronësi Jovica Deniqit. Drejtoria e Kadastrit të Komunës së Prishtinës më. Maj të 2019 si dhe në gusht të 2020-tës kishte refuzuar fillimisht kërkesën e Jovica Deniqit, për shkak të konstatimit të zbrazëtisë ligjore për ta bartur pronën në pronësi të Deniqit. Mirëpo, në Janar të vitit 2021, e njëjta drejtori nxjerrë aktvendimin me të cilin është ekzekutuar në regjistra kadastral aktvendimi i datës 11.12.2020 kurse me datë 21.06.2021 drejtoria e Kadastrit të Komunës së Prishtinës bazuar në shkresën e lëshuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës të datës 17.05.2021, ka nxjerrë aktvendimin me të cilin është plotësuar aktvendimi i nxjerrë nga Drejtoria e Kadastrit me datë 19.01.2021 me të cilin Jovica Deniq, është bërë pronar i kësaj ngastre kadastrale”, ka bërë të ditur Peci.