Fjalë Kyçe

Bislimi për dinarin: Serbia synon të krijojë tension artificial

Bislimi për dinarin: Serbia synon të krijojë tension artificial

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Serbia tentoi të krijonte tension artificial nëpërmjet dërgimit të dinarëve në pikën kufitare, me qëllim që të futeshin në territorin e Kosovës, e sipas tij, kjo duhet të dënohet.

Ai ka shkruar në Facebook të mërkurën se Kosova shpreh vullnetin të punojë dhe të ndihmoj në gjetjen e mekanizmit që mjetet e tilla të dërgohen në mënyrë ligjore tek përfituesit fundor.

“Paramendojeni njё paralele ku para inspektorit doganor, shfaqet njё kamion me mallra tё konsumit tё pёrditshёm, nga individё qё prezantohen nё emër tё kompanive inekzistuese, dhe pretendojnё qё mallin janё duke e dёrguar tek njё kompani, e cila poashtu nuk figuron askund nё regjistrat zyrtarё tё shtetit. Krejt kjo me shpresën se kështu do arrijnё tё manipulojnё e pastaj alarmojnё tё gjithё ata qё me tё drejtё angazhohen pёr sigurimin e vazhdimit tё mbёshtetjes pёr kategori tё caktuara brenda Kosovёs. Kjo flet shumё pёr nivelin e pavarёsisё sё institucionit kryesor qё udhëheq me “politikёn monetare” tё Serbisё. Nuk ka dyshim se kjo dёrgesё e tillё, pa asnjё koordinim, paraqet njё hap unilateral tё Serbisё, me qёllim tё shkeljes flagrante tё funksionalitetit tё institucioneve tё Republikёs sё Kosovёs, synon krijim artificial tё tensioneve dhe si e tillë meriton tё dёnohet ashpёr nga gjithsecili qё kundёrshton hapat unilateral”, thuhet në reagimin e Bislimit.

Zv.kryeministri ka theksuar tutje se Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka vendosur rregulla precize që përcaktojnë se kush ka dhe si ka të drejtë të importojë euro dhe valuta të tjera.

Sipas Bislimit, kjo mund të bëhet vetëm nga institucionet financiare bankare dhe jobankare.

“Sipas rregullores, kjo mund tё bёhet vetёm nga institucionet financiare bankare dhe jo-bankare të licensuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, për ushtrimin e aktiviteteve financiare bankare dhe atё vetëm pas dhënies së licensës dhe autorizimit të veçantë me shkrim nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës për këtë shërbim”, ka shtuar ai.