Fjalë Kyçe

Arrihet marrëveshje për ndërprerjen e grevës së punëtorëve teknikë të shkollave në Prishtinë

Arrihet marrëveshje për ndërprerjen e grevës së punëtorëve teknikë të shkollave në Prishtinë

Komuna e Prishtinës dhe Sindikata e punëtorëve të sektorit privat kanë arritur marrëveshje të enjten për ndërprerjen e grevës së punëtorëve teknikë të shkollave në kryeqytet.

Nënkryetarja dhe ushtruesja e detyrës së Drejtores në Drejtorinë e Arsimit, Jehona Lushaku dhe kryetari i Sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, Jusuf Azemi, kanë diskutuar për kërkesat dhe nevojat e punëtorëve teknikë, për të cilat janë marrë vesh që të trajtohen menjëherë.

“Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, është vendosur që greva e punëtorëve të mirëmbajtjes të ndërpritet, duke lejuar që shkollat të funksionojnë normalisht dhe të sigurojnë një mjedis të sigurt dhe të pastër për nxënësit e kryeqytetit”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Komuna e Prishtinës.

Sipas njoftimit, palët janë dakorduar që të plotësohen kushtet e kërkuara, përfshirë edhe rritjen e pagave.

“Kjo rritje e pagave është një përgjigje konkrete ndaj kërkesave të tyre dhe një shprehje e vlerësimit të punës së tyre të palodhur dhe të rëndësishme për mirëmbajtjen e ambienteve shkollore”, thuhet më tej në komunikatë.