Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka lëshuar në funksion një linjë telefonike pa pagesë, me qëllim të ofrimit të informatave plotësuese për serbët në Kosovë rreth përdorimit të dinarit.
BQK-ja, mes tjerash, rikujton se Rregullorja për operacione për para të gatshme nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara, nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhet nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK-ja, nuk ndalon transferet nga asnjë shtet dhe nuk ndalon posedimin dhe kursimin në asnjë valute jo euro, përfshirë dinarin.
Në njoftim bëhet e ditur se të gjithë individët që kanë qasje në llogari bankare mund të pranojnë mjete në llogaritë e tyre në euro, teksa qytetarëve që nuk kanë llogari u është bërë thirrje të hapin një të tillë.