Ekipet për siguri dhe emergjencës por edhe zjarrfikësit kanë intervenuar mbrëmë në disa raste në lagjet e Prishtinës, e që ishin si pasojë e erërave të forta. Kurse, sot kur edhe janë paralajmëruar rreziqe për shkak të erërave, është bërë edhe njëherë izolimi i ndërtesës së komunës së re në “Arbëri”, në mënyrë që të evitohet çdo rrezik si për qytetarët, ashtu edhe gjërat materiale.
Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët se sot do të ketë erëra të forta nga 20 deri në 80 km/h, prej të cilave do të ketë edhe dëme materiale.
Drejtori i Drejtorisë për siguri dhe emergjencë në Komunën e Prishtinës, Lulëzim Fushtica thotë për KosovaPress, se të gjitha ekipet e drejtorisë për emergjenca dhe zjarrfikësit, janë në gjendje gatishmërie për çdo rast që mund të ndodhë në qytet për shkak të erërave të forta.
“Ashtu siç e kemi paralajmëruar mbrëmë edhe në postimin që e ka bërë kryeqyteti dhe drejtoria për siguri dhe emergjenca dhe sipas Institutit Meteorologjik, sot në Kosovë por edhe në Prishtinë, parashihet që të godasin era të forta lokale dhe për këtë arsye ne i kemi marrë të gjitha masat dhe kemi njoftuar edhe qytetarët, kemi mobilizuar të gjitha ekipet. Mbrëmë deri në orët e vona të mesnatës kemi pasur disa intervenime nëpër qytet, sot kemi bërë edhe njëherë izolimin e ndërtesës së komunës së re në “Arbëri”, për arsye se janë duke vazhduar punime në çatinë që është rrëzuar në muajin e kaluar, në mënyrë që të evitojmë çdo rrezik si për qytetarët dhe për të mirat materiale. Të gjitha ekipet e drejtorisë për emergjenca, zjarrfikës janë në gjendje gatishmërie për çdo rast që mund të ndodhë në kryeqytet,” thotë Fushtica.
Fushtica tha se mbrëmë ekipet e emergjencës kanë qenë në teren, pasi që qytetarët kanë lajmëruar për disa dëme në disa lagje të Prishtinës.
“Ne i kemi pasur disa raste në disa lagje, kemi pasur incidente apo dëme të vogla të izoluara por me intervenimin e shpejtë të drejtorisë dhe zjarrfikësve janë evituar me kohë, kemi pasur një rast në rrugën “Bajram Bahtiri”, ku në orën 1:00 të mesnatës, qytetarët kanë lajmëruar se një llamarinë ka dashur të rrëzohet nga kulmi, kemi dalur me ekipe dhe është evituar rreziku,” shprehet ai.
Më 18 janar, ishte shembur kulmi i ndërtesës së Komunës së re, ku një 23-vjeçare u lëndua rëndë si pasojë e saj. Ajo është trajtuar në mjekimin intensiv, e cila ka qenë në gjendje kome, por për fat të mirë, gjendja e saj ka filluar të përmirësohet./KSP