Fjalë Kyçe

Sarrazin: Kosova dhe Serbia ta çojnë përpara zbatimin e Ohrit

Sarrazin: Kosova dhe Serbia ta çojnë përpara zbatimin e Ohrit

Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, i ngarkuari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se dritarja për dialogun Kosovë-Serbi, nuk është mbyllur ende.

Ai në një intervistë për Deustche Welle, ka thënë se i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak është shumë aktiv në këtë proces.

Ka deklaruar se Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet nga të dyja palët.

“Së pari duhet thënë se dritarja nuk është mbyllur ende. Ne kemi të dërguarin e posaçëm të BE, Miroslav Lajçak, i cili punon, ai ka një agjendë dhe do që të arrijë zbatimin dhe implementimin e Ohrit. Dhe qasja jonë është që ta mbështesim atë dhe të bëjmë gjithçka, që kjo dritare të shfrytëzohet, të cilën Miroslav Lajçak e plotëson tani. Ai është shumë aktiv dhe kjo është qasja jonë. Më duket se nuk ka kuptim të mendosh shumë, se çfarë do të vijë paskëtaj. Ne jemi për Ohrin dhe duam që të dyja palët ta çojnë përpara zbatimin e Ohrit dhe mendoj se kjo është vendimtare. Unë shoh në të dyja palët se politika e brendshme do të bëhet një faktor i rëndësishëm. Dua ta them në mënyrë eksplicite; e ardhmja e të gjithë rajonit është në BE dhe kjo duhet të qëndrojë nganjëherë mbi politikën e brendshme”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se qeveria gjermane mbetet e angazhuar për të bërë gjithçka, në mënyrë që së shpejti të këtë përparim.

Sarrazin ka thënë se aktualisht janë në një fazë kur lufta në Ukrainë, çështja e rendit të ardhshëm botëror, zgjedhjet në SHBA dhe Trumpi, duket se qëndrojnë në plan të parë një herë për një herë.

“Besoj se nuk duhet të harrojmë, se në të gjitha këto çështje aftësia strategjike e Evropës për ta zhvilluar pozitivisht Ballkanin Perëndimor, do të jetë vendimtare për pyetjen, nëse do të na marrin seriozisht në çështjet e tjera. Sigurisht që nga BE kërkohet që të furnizojë Ukrainën, por tema së paku e dyta për nga rëndësia është Ballkani Perëndimor. Nëse atje kapaciteti i BE nuk funksionon në mënyrë adekuate, si mund të na marrë seriozisht dikush shumë, shumë larg nesh, në konkurrencën globale për çështjet e mëdha botërore”, ka thënë ai.