Fjalë Kyçe

Probleme me zemër, deputetja Musliu falënderon mjekët në Kosovë: Për fat të keq ndërhyrjen kirurgjike duhet ta bëjë jashtë vendit

Probleme me zemër, deputetja Musliu falënderon mjekët në Kosovë: Për fat të keq ndërhyrjen kirurgjike duhet ta bëjë jashtë vendit

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu është dërguar në Gjermani për trajtim mjekësor, për shkak të disa problemeve me zemër.

Në një postim në Facebook, Musliu ka shkruar se për problemin në zemër ishte diagnostikuar dy vite më parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Gjatë gjithë kohës jam trajtuar në Kosovë dhe dua të falënderoj të gjithë mjekët që punojnë në repartin e Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë në QKUK dhe në Spitalin Amerikan që u kujdesën për mua”, ka shkruar Musliu.

Ajo ka shtuar se me rekomandim të mjekëve kosovarë, i duhet t’i nënshtrohet një një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila do të kryhet jashtë vendit.

“Tani, me rekomandim të mjekëve kosovarë, më duhet t’i nënshtrohem një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila (për fat të keq) do të kryhet jashtë vendit, pasi që mjekëve në Kosovë, përkundër kompetencës së shkëlqyer profesionale, ende nuk u janë krijuar kushtet që ata i meritojnë.

Sistemit shëndetësor të Kosovës realisht i mungojnë shumë gjëra përveç mjekëve, kështu që shpresoj që kjo gjendje të përmirësohet dhe askush të mos detyrohet t’i nënshtrohet procedurave të shërimit jashtë vendit”, ka shkruar deputetja.

Të nderuar qytetarë
Të dashur miq

Ju që më keni qëndruar pranë në momente shumë të lumtura dhe në momente shumë të rënda, ju njoftoj se, pas një vizite të mjeku në QKUK, rreth dy vite më parë u diagnostikova me një problem në zemër.

Gjatë gjithë kohës jam trajtuar në Kosovë dhe dua të falënderoj të gjithë mjekët që punojnë në repartin e Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë në QKUK dhe në Spitalin Amerikan që u kujdesën për mua.

E falënderoja po ashtu çdo institucion dhe çdo individ që ishte pranë meje dhe më ofroi mbështetje.

Mbështetja e tyre më ka bërë jashtëzakonisht mirënjohëse, por edhe krenare për çdo hap që kam bërë sepse në një moment shumë delikat të jetës sime më kanë dëshmuar se jam e bekuar me miq të vërtetë.

Tani, me rekomandim të mjekëve kosovarë, më duhet t’i nënshtrohem një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila (për fat të keq) do të kryhet jashtë vendit, pasi që mjekëve në Kosovë, përkundër kompetencës së shkëlqyer profesionale, ende nuk u janë krijuar kushtet që ata i meritojnë.

Sistemit shëndetësor të Kosovës realisht i mungojnë shumë gjëra përveç mjekëve, kështu që shpresoj që kjo gjendje të përmirësohet dhe askush të mos detyrohet t’i nënshtrohet procedurave të shërimit jashtë vendit.

Meqë me duhet të tërhiqem përkohësisht nga puna ime e përditshme, dua t’ju falënderoj të gjithëve pa dallim, që më keni shkruar, jeni lutur për mua dhe më keni uruar gjithë të mirat.