Fjalë Kyçe

Katari e sheh Kosovën si një vend premtues për investime, Kurti takon ambasadorin jorezident, Al Dosari

Katari e sheh Kosovën si një vend premtues për investime, Kurti takon ambasadorin jorezident, Al Dosari

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin jorezident të shtetit të Katarit në Kosovë, Jabor Ali Hussein Al Hawashela Al Dosari.

Në njoftimin për media thuhet se u diskutua për marrëdhëniet bilaterale dhe mundësitë për t’i thelluar ato.

Ambasadori Al Dosari theksoi gatishmërinë dhe vullnetin e tij dhe të Shtetit të Katarit për të thelluar bashkëpunimin me Republikën e Kosovës, veçanërisht në fushën ekonomike.

“Ai shprehu interesim në lidhje me ankandet e energjisë së ripërtëritshme që kanë filluar të zhvillohen në Kosovë. Ambasadori vlerësoi se këto ankande janë një mundësi e mirë konkurruese për bizneset e Katarit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas komunikatës së Qeverisë së Kosovës temë tjetër e diskutimit ishte edhe Fondi Sovran, duke qenë se Katari ka vetë një fond sovran.

“Kryeministri informoi Ambasadorin për ligjin e miratuar në Kuvend për themelimin e Fondit Sovran në Kosovë, që përbën hapin e parë drejt ndërtimit të strukturës organizative të Fondit.

Në bisedë e sipër, u theksua dëshira për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe turizmit. Në këtë drejtim, kryeministri shprehu interesimin e Kosovës për të krijuar një partneritet në këto fusha, në të mirën e dy shteteve.

Ambasadori Al Dosari theksoi se Katari e sheh Kosovën si një vend premtues për investime dhe bashkëpunim të pasur në interes të të dyja palëve dhe bizneseve të tyre”, thuhet më tej.