Disa pjesëtarë të KFOR-it, derisa kanë qenë duke qëndruar me një lokal janë kanosur nga dy persona.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 09:00 në fshatin Libuqevë, Prizren.
Tutje bëhet e ditur se të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.
“Pas një pune hetimore janë ndaluar dhe arrestuar dy të dyshuarit meshkuj kosovarë. Pas intervistimit të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.
Ndërkaq, gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar pushkë gjuetie. Rasti nën hetime.
Edhe, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi në një prononcim për Telegrafin të hënën kishte thënë se gjatë një vizite në fshat, të dyshuarit iu kishin afruar pjesëtarëve të KFOR-it në një lokal duke i ofenduar ata, me ç’rast janë shkaktuar tensione të mëdha.
Njëri prej tyre siç tha Bytyqi i kërcënoi me vdekje ushtarët, duke thënë se do të kthehej për t’u armatosur dhe për t’i vrarë të gjithë.
“Më datën 26.02.2024, rreth orës 10:10, policia mori informacion se në fshatin Lubiçevë dy persona të dyshuar kanosën pjesëtarët e KFOR-it italian, të cilët ishin për vizitë në atë fshat. Patrulla policore u nis në vendin e ngjarjes dhe kontaktoi karabinierët, të cilët raportuan se ndërsa ishin në një lokal aty në fshat, të dyshuarit iu afruan ushtarëve fillimisht duke i ofenduar, dhe më pas njëri prej tyre i kanosi ata me vdekje, duke thënë: ‘Do të shkojë në shtëpi të marr kallashnikovin dhe do t’ju vras të gjithëve’ “, ka deklaruar Bytyqi.