Sonte në mbrëmje, në aeroportin e Rinasit pritet të zbresë një nga figurat më të njohura botërore të momentit. Volodimir Zelensky, president i Ukrainës, që prej dy vitesh po udhëheq luftën kundër Rusisë, duke mobilizuar kombin dhe ushtrinë si dhe duke bindur pjesën më të madhe të botës, të jetë përkrah vendit të tij.
Ai është paraparë të pritet nga kryeministri Edi Rama. Megjithatë, ngjarjet në Ukrainë dhe elementët e sigurisë do të përcaktojnë edhe agjendën e Zelenskyt në Tiranë, ku ajo që dihet është pjesëmarrja në Samitin e 28 shkurtit.
Edhe pse në agjendën paraprake ishte parashikuar një takim me presidentin Bajram Begaj dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla, ato janë anuluar.
Zelenksy do të marrë pjesë në një forum që të mërkurën do të bëjë bashkë liderë të BE-së dhe të Evropës Juglindore. Nga Bashkimi Evropian do të vijë Ursula Von der Leyen, ndërsa janë ende në pritje të konfirmimeve Greqia dhe Kosova, nëse do të përfaqësohen nga kryeministrat, apo nga presidentët.
Serbia ka njoftuar se do të jetë e pranishme përmes presidentit Aleksandar Vuçiq.
Liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të qëndrojnë edhe të enjten, në një Samit për integrimin.
Pak ditë më parë në një mesazh në platformën “X” kreu i shtetit të Ukrainës vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës dhe shprehu padurimin për një të ardhme më të sigurt për gjithë Evropën. Shqipëria ka vendosur disa sanksione ndaj Rusisë, ndërsa ka dënuar luftën e saj në Ukrainë./ksp