Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se udhëheqësi rus, Vladimir Putin, po përdor diktate të shkuarës për të bërë që shtetet të veprojnë siç do ai.
Gjatë samitit “Ukrainë – Evropa Juglindore”, që është mbajtur në Tiranë të Shqipërisë, Zelensky ka thënë se Evropa duhet të jetë hapësira ku çdo shtet përcakton fatin e vet.
“Ne kemi parë në të kaluarën që ka pasur njerëz që janë përpjekur për të përcaktuar fatin e kombeve të tjera. Kjo ka ndodhur në Ballkan, Evropën lindore dhe pjesë të tjera të Evropës. Tani Putini dëshiron ta bëjë këtë. E gjithë armiqësia e tij, gjithçka që ai bën, është për të detyruar kombet e tjera të bëjnë siç do ai. Prandaj është e rëndësishme për të gjitha shtetet tona që Putini, regjimi i tij, të humbasë, sepse dështimet e tij janë siguria jonë e përbashkët”, ka thënë ai.
Udhëheqësi ukrainas ka falënderuar shtetet e Evropës juglindore për ndihmën e ofruar për shtetin e tij në luftë, por edhe në integrimin evropian. Ai ka thënë se të gjitha shtetet në rajon, që ndajnë vlera evropiane, duhet të integrohen.
Po ashtu, ai ka thënë se të gjitha shtetet në rajon, që kultivojnë vlerat evropiane, duhet të integrohen në
“BE-ja dhe NATO-ja i kanë ofruar Evropës epokën më të gjatë dhe më të fortë të sigurisë paqes dhe zhvillimit ekonomik dhe ne meritojmë që në fund të jemi pjesë e komunitetit evropian dhe euroatlantik”, ka thënë Zelensky.
Duke folur për mbrojtjen, Zelensky ka thënë se është i interesuar të rrisë bashkëpunimin me shtetet e Ballkanit Perëndimor, veçmas në fushën e bashkëprodhimit të municioneve.
“Ne shohim se problemet me municion po ndikojnë në situatën në fushëbetejë (në Ukrainë). Ne jemi të interesuar për bashkëprodhim ne ju dhe me të gjithë partnerët e tjerë. Ekipi ynë qeveritar do të prezantojë detajet për mbajtjen e një forum të industrisë së mbrojtjes së Ukrainës dhe Ballkanit në Kiev, apo në ndonjë nga kryeqytetet tuaja”, ka thënë presidenti ukrainas.