Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Forumin Diplomatik në Antalia të Turqisë, ka thënë se Rusia nuk do të ndalet vetëm me luftën në Ukrainë, teksa ka alarmuar se Ballkani Perëndimor është ndër rajonet e rrezikuara. Ajo e ka quajtur Serbinë dorë të zgjatur të Rusisë për të destabilizuar rajonin.
Osmani ka bërë thirrje që të gjendjet një zgjidhje për përfundimin e luftës në Ukrainë. Sipas saj, po që se nuk përfundon me paqe, pasojat do të zgjerohen edhe në Ballkanin Perëndimor.
“Për çdo ditë që kalon dhe kjo u konfirmua edhe nga presidenti Zelenskyy, Rusia po e sheh Ballkanin si vend ku duan ta hapin front të ri kundër Perëndimit. Një prej rreziqeve më të mëdha të luftës është përhapja ose zgjerimi i konfliktit. Mu për këtë ne vazhdimisht e themi se ajo që ndodh në Ukrainë nuk ndodh vetëm brenda Ukrainës dhe se rezultati i kësaj lufte nuk do të jetë vetëm rezultat për Ukrainën. Mënyra se si përfundon kjo luftë do të vendosë precedent sepse nëse nuk përfundon në mënyrën e duhur, nëse nuk flasim për paqe të drejtë, ky do të jetë shembull i tmerrshëm, jo vetëm për shtetet baltike, Moldavinë e Gjeorgjinë, por edhe për Ballkanin Perëndimor. Sepse Rusia e thotë shumë haptas, nuk do të ndalem vetëm në Ukrainë. Rusia është krejt transparente për qëllimin e saj, duan që ta zgjerojnë konfliktin”, ka deklaruar Osmani, raporton televizioni publik.
Teksa ka akuzuar Serbinë si dorë të zgjatur të Rusisë, Osmani ka thënë se Rusia historikisht ka tentuar të gjejë terren për të zgjeruar luftën.
“Përtej faktit që jemi fqinjë me Serbinë, që fatkeqësisht jo vetëm tash së voni por për një kohë të gjatë, është bërë një dorë e zgjatur e Rusisë në përpjekje për të destabilizuar rajonin. Nuk mund të gjejmë ndonjë ndikim rus brenda Kosovës, e kjo na ka ndihmuar edhe në luftën tonë ndaj propagandës ruse, e cila është e stërmadhe në rajonin tonë. Historikisht Rusia është përpjekur të gjejë teren ku do të mund të zgjeronin konfliktin. Gjithmonë e kanë parë Ballkanin Perëndimor si një prej këtyre tokave pjellore për konflikt. Kemi pasur krizë pas krize në rajon për shkak se interesi rus ka qenë që ta kthejë rajonin tonë në të 90-at kur ka pasur luftëra e konflikte”, ka thënë ajo.
Në kuadër të forumit me temën “Avancimi i diplomacisë në kohë trazirash”, Osmani ka thënë se Kosova ka shumë plagë të hapura nga lufta. Ajo ka thënë se Kosova ka qenë viktimë e gjenocidit, teksa ka vlerësuar ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë. E ka quajtur Kosovën shembullin më të mirë të demokracisë në rajon.