Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar një takim me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, në ditët në vijim.
Lajçak në një postim në Facebook ka bërë një përmbledhje të takimeve që pati javën e kaluar.
“Por, pika kryesore e agjendës sime në Bruksel javën e kaluar ishte takimi ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e përgjigjeve ndaj pyetjeve të hapura lidhur me vendimin e marrë së fundi nga Banka Qendrore e Kosovës për operim me kesh – më konkretisht çështjen e ndihmës së Serbisë për njerëzit që jetojnë në Kosovë. Përshëndetja përkushtimin e të dyja delegacioneve për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive për gjetje të zgjidhjeve të qëndrueshme për komunitetet e prekura. Takimi ishte një hap i rëndësishëm para; mirëpo, shumë pyetje politike mbesin dhe diskutime shtesë do të nevojiten në ditët në vijim. Për këtë arsye si hapin e menjëhershëm të ardhshëm do të vijojë diskutimet me zëvendëskryeministrin e Kosovës dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi”, ka shkruar Lajçak.
Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga guvernatori i Bankës Qendrore, Ahmet Ismaili, të martën zhvilloi në Bruksel një takim të ndarë me emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, e më pas edhe me delegacionin serb, të përfaqësuar nga ekspertë financiarë. Pas këtij takimi që përfundoi në orët e pasdites, emisari Lajçak tha se nevojiten edhe takime të tjera për zgjidhjen e çështjes së Rregullores së BQK-së pasi, siç tha, shumë pyetje politike kanë mbetur pa përgjigje.