Të dyshuarit për vrasjen në Bon Vivant, Andi Pajazitit i është vazhduar paraburgimit edhe për dy muaj.
Kështu ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
E njëjta ka bërë të ditur se masa e paraburgimit Pajazitit i është vazhduar deri më 4 maj.
“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit A.P., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 04.03.2024 ka marr vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit A.P iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj. Masa e paraburgimit të njëjtit i llogaritet prej datës 05.03.2024 deri me datën 04.05.2024”, tha Gashi për Reporteri.net.
Çfarë ndodhi në Bon Vivant?
Para se të viheshin në përdorim armët e zjarrit, me 4 gusht në “Bon Vivant” kishte pasur rrahje mes të dyshuarve që rezultoi me vrasjen e Kastriot Ramadanit dhe lëndimin e disa personave tjerë, përfshirë klientë të lokalit, ndër ta 14 vajza.
I dyshuari Dukagjin Nikollaj, ndodhet në arrati. Njëherësh i kërkuar edhe nga FBI.
Sipas prokurorisë i ndjeri Kastriot Ramadani po qëndronte ulur në lokal me Dukagjin Nikollaj dhe një person akoma të paidentifikuar nga prokuroria teksa në ato momente në “Bon Vivant” kishin hyrë Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datën 4 gusht 2023 rreth orës 23:17, në lokalin “Bon Vivant” në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë, pas një përleshje fizike në mes të pandehurve Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti në njërën anë me të pandehurit Dukagjin Nikollaj, Kastriot Ramadani dhe tani të ndjerin Kastriot Ramadani dhe personit të paidentifikuar deri më tani në anën tjetër, me dashje që ta privojnë njëri-tjetrin nga jeta, në atë mënyrë që derisa në lokal ishin të ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani si dhe një person tjetër deri më tani i paidentifikuar në lokalin e lartë cekur kanë ardhur Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti dhe kanë qëndruar në këmbë në afërsi të tavolinës ku ishin ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj i cili gjendet në arrati dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani”, përshkruan prokuroria.
Prokuroria pretendon se Andi Pajaziti i njohur si “italiani” dhe Dukagjin Nikollaj kishin nisur të përleshen fizikisht. Më pas, i ndjeri Ramadani kishte goditur Pajazitin me një shishe qelqi dhe ky i fundit kishte shkrepur në drejtim të tashmë viktimës.
“Në atë moment me të vërejtur që në lokal kanë hyrë të pandehurit Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti,, në atë moment i ndjeri Kastriot Ramadani e ka nxjerrë armën e zjarrit nga brezi kurse i pandehuri Dukagjin Nikollaj e ka nxjerrë armën e zjarrit nga një çantë e dorës, ashtu që për një moment fillojnë të përleshen fizikisht fillimisht Andi Pajaziti me të pandehurin Dukagjin Nikollaj, më pas Kastriot Ramadani e godet me një shishe qelqi në kokë disa herë Andi Pajazitin, në atë moment Andi Pajaziti nxjerr armën e zjarrit nga brezi dhe shkrepë në drejtim të Kastriot Ramadanit, kurse i pandehuri Dukagjin shkrep me armë zjarri në drejtim të Andi Pajazitit si dhe i ndjeri Kastriot Ramadani shkrep në drejtim të Andi Pajazitit e me ç’rast kanë rrezikuar edhe jetën e personave tjerë”.
Prokuroria thekson se në “Bon Vivant” është shkaktuar rrezik i madh për jetën e njerëzve.