Fjalë Kyçe

8 Marsi në Kosovë shënohet me protestë e festë

8 Marsi në Kosovë shënohet me protestë e festë

Sot shënohet 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas. Për shënim të kësaj dite në Kosovë janë paraparë të mbahen disa aktivitete.

Ndër to është edhe marshi tradicional i kolektivit “Marshojmë, s’festojmë”, i cili organizohet me thirrjet për barazi dhe drejtësi për gratë. Marshi mbahet nis në orën 12:00 nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe përfundon te ndërtesa e Qeverisë.

Për nder të kësaj dite do të mbahet edhe konferenca e organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ku do të marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.

Me rastin e 8 Marsit Universiteti i Prishtinës, së bashku me Zyrën për Këshillim Gjinor të KFOR-it, organizojnë konferencën me temën “Investo në Arsimim = Investo në Gra”, ndërkohë që Instituti Shkencor kosovaro-suedez mban konferencën me temën “Gruaja dhe paqja”, në të cilinë do të marr pjesë edhe ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.

Për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas zëvendëskryeministrja për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi, organizon festë të veçantë, në të cilën do të marrin pjesë më shumë se 400 gra nga të gjitha komunitetet e komunës së Prizrenit, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësues politikë.

Dita e Gruas u vendos fillimisht në përkujtim të demonstratës së grave punëtore në New York. Por përfundimisht, 8 marsi u vendos si Dita Ndërkombëtare e Gruas, pas tragjedisë së 25 marsit të vitit 1911 në një fabrikë ku punonin vetëm gratë, po në New York, ku nga një zjarr humbën jetën 146 viktima, shumica e tyre emigrante.

Tragjedia shënoi ditën në të cilën gratë përveçse festojnë, edhe protestojnë për të kërkuar më shumë të drejta dhe barazi gjinore në të gjithë botën.