Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar pasi këshilltari i saj, Gjorgje Bojoviq, ka thënë se është nisur një fushatë në internet kundër tij lidhur me deklaratat që pati bërë në vitin 2015 për krimet e luftës të kryera në Kosovë.
Ajo ka ngritur pyetjen se kujt do t’i ndihmojnë me ato postime, se “Kosovës dhe eurointegrimit të saj sigurisht se jo”. Në postimet nëpër llogari kritikohet edhe vetë ajo.
“Lajmet e rreme, fushatat dezinformuese, propaganda qeveritare… nuk do ta ndryshojnë pozicionin e dikujt, por thjesht do të dobësojnë shanset e Kosovës për të përparuar shpejt. Kjo është e trishtë për vendin”, ka shkruar ajo në platformën X.
Von Cramon ka bashkangjitur postimin e ish-diplomatit të Kosovës, Petrit Selimi, për këtë çështje. Selimi ka shkruar se llogari në platformë që mbështesin partinë në pushtet në Kosovë po sulmojnë secilin të huaj – ambasador, eurodeputet, emisar – që ka ndonjë kritikë për liderin e tyre, Albin Kurti.
“Jam i shqetësuar kur shoh llogari që sulmojnë personalisht miqtë e Kosovës, si Viola von Cramon (dhe stafi i saj), ambasadorët e QUINT-it dhe diplomatët (disa prej të cilëve ashtu si Hovenieri e kanë ndihmuar Kosovën që nga koha e Ahtisaarit ose Rambujesë), Ali Ahmetin, Edi Ramën, e të tjerë”, ka shkruar Selimi.