Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) në një sqarim në Facebook ka njoftuar se së fundmi është njoftuar se Premier League me letrën e datës 12 mars 2024 të përcjellë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka sqaruar se nuk e ka autorizuar kompaninë “Arena” për t’i lejuar operatorit “Artmotion” transmetimin e ngjarjeve sportive të Premier League. KPM-ja ka thënë se ky informacion është i ri për të.
“KPM, njofton opinionin publik se sqarimet e dhëna nga Premier League në letrën e datës 12 mars 2024, paraqesin informata deri më tani të panjohura për KPM-në dhe se së shpejti do të ndërmarrë hapat e duhur në lidhje me këtë çështje”, thuhet në sqarim.
KPM-ja ka thënë se në mënyrë të vazhdueshme ka analizuar të gjithë dokumentacionin që ka të bëjë me të drejtat e operatoreve vendor për të transmetuar Primer League në territorin e Republikes së Kosovës.
“Bazuar në marrëveshjet/autorizimet dhe konfirmimet e deponuara në KPM nga palët e interesit (Primer League, DigitAlb dhe Arena) të drejtat për ritransmetimin ngjarjeve sportive të Primer Leagus për territorin e Republikës së Kosovës i kanë siguruar kompania Digitalb në gjuhën shqipe dhe ARENA në gjuhën serbe. Kompania Digitalb dhe Arena për të vepruar në territorin e Republikës së Kosovës, kanë hy në marrëveshje kontraktuale me operatoret e shpërndarjes të licencuar në KPM, ashtu siç përcaktohet me Rregulloren për Shpërndarjen e Ofrueseve të Shërbimeve Mediale Audio dhe Audiovizuale KPM-2020/01”, thuhet në njoftim.
KPM-ja ka sqaruar se me datën 27 shtator 2023, ka kërkuar sqarime te detajuara nga Premier League në lidhje më të drejtat e Arena dhe Digitalb për transmetimin e Premier Leagues për territorin e Republikës së Kosovës.
“Premier League me datën 19 tetor 2023, i është përgjigjur kërkesës së KPM-së, duke sqaruar së të drejtat e ritransmetimit për ngjarët sportive të Ligës Angleze, për territorin e Republikës së Kosovës, për gjuhen shqipe i janë dhënë kompanisë DigitAlb ndërsa për gjuhen serbe kompanisë Arena. Gjithashtu Premier League ka sqaruar se Arena dhe Digitalb kanë të drejte të hyjnë në marrëveshje me operatoret e tretë për të siguruar ritransmetimin e Premier Leagues në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e KPM-së.
Ndërkaq anëtarja e KPM-së, Luljeta Aliu, duke e shpërndarë reagimin e këtij Komisioni, ka thënë se do të vendoset rregull në vend.
“Ndonëse me hapa më të ngadalshëm se sa që duam, por të sigurt e të menduar mirë, do të vendoset rregull në këtë vend”, ka shkruar ajo.