Fjalë Kyçe

Efekti i vizitës së Escobar në Prishtinë, Qeveria i hap rrugë diskutimeve për dinarin

Efekti i vizitës së Escobar në Prishtinë, Qeveria i hap rrugë diskutimeve për dinarin

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Përendimor, Gabriel Escobar, vizitën dy ditore në Kosovë e përmbylli me një takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Emisari amerikan, të enjtën para gazetarëve tha se i kërkoi Kurtit që ta adresojë menjëherë çështjen e dinarit.

Escobar ka thënë se Kurti e ka marrë parasysh shqetësimin amerikan për efektin e ndalimit të dinarit tek serbët lokalë dhe ka premtuar që do t’i marrë parasysh disa prej propozimeve që i ka bërë në takim.

“Patëm një diskutim shumë të mirë dhe e kam bërë shumë të qartë që askush s’ka nevojë të dëgjojë storie të njerëzve që preken më së shumti nga ky vendim. Sigurisht që ne prekemi nga storiet e njerëzve dhe ndikimin që ka pasur ky vendim në ta. Kryeministri ka marrë parasysh dhe premtuar që do t’i marrë parasysh disa prej propozimeve që i kam bërë sot”, ka thënë Escobar.

Emisari amerikan e përsëriti edhe nga Prishtina se marrëdhëniet Kosovë-SHBA janë duke u sfiduar, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“SHBA-ja mbetet partnerja më e përkushtuar e Kosovës. Por duhet të pranoj se marrëdhëniet tona kanë disa sfida tash. Të jemi të sinqertë, këto sfida kanë të bëjë me mënyrën se si qeveria po trajton serbët e Kosovës tash. Është fatkeqe pse duhet të merremi me këtë. Por, dinari, vendimi i BQK-së ka krijuar vështirësi të njëmenda për disa qytetarë të Kosovës. Jemi shumë të shqetësuar”, ka thënë ai.

Escobar tha se SHBA-ja ka qëndruar pranë Kosovës në vazhdimësi në të gjitha situatat, duke përmendur sulmin terrorist në Banjskë, blerjen e anti-tankëve Javelin e zgjedhjet në veri.

“T’ju them se gjithçka që kemi bërë vitin e fundit ka qenë në favor të Kosovës. Menjëherë pas Ohrit e mbështetëm kandidaturën tuaj për KiE, mbështetëm proceset demokratike përfshirë zgjedhjet në veri; qëndruam prapa jush pas sulmit të 24 shtatorit dhe ju mbështetëm për Javelinët. Pra, shpjegomani ju mua se si kjo qenka e pabalancuar? Përnjëmend nuk është. Gjithçka që kemi bërë është në favor të Kosovës. Dhe do ta vazhdojmë këtë. Shpresojmë që ndërkohë edhe Kosova të dëgjojë shqetësimet tona dhe kjo s’do të duhej të ishte e vështirë se pse këta janë qytetarë të Kosovës”, tha ai.

Diplomati amerikan gjithashtu ka paralajmëruar se të martën do të ketë dialog ndërmjet Kosovës e Serbisë në Bruksel, madje sipas tij aty ShBA shpreson që Qeveria të jetë fleksibile sa I përket diskutimit për çështjen e dinarit të cilën e quajti emergjence humanitare.

“Do të vazhdojmë në këtë çështje, por është çështje emergjente humanitare që duhet menjëherë të adresohet. Dhe shpresoj që qeveria të jetë e përgatitur të jetë fleksibile në diskutimet në dialog të martën”, tha ai.

Escobar shpreson që Qeveria do të jetë fleksibile në bisedimet të martën. “Do të vazhdojmë në këtë çështje, por është çështje emergjente humanitare që duhet menjëherë të adresohet. Dhe shpresoj që qeveria të jetë e përgatitur të jetë fleksibile në diskutimet në dialog të marten”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Kurti i cili nuk doli në konferencë e komentoi takimin vetëm në rrjetin “X”.

Në një postim në rrjetin social “X”, ish-Twitter, kryeministri ka thënë se ka informuar Escobarin për hapat që ka marrë qeveria e tij për të përkrahur tranzicionin për rregulloren e Bankës Qendrore. Ai ka shkruar se i ka treguar Escobarit për gatishmërinë që ka qeveria për të adresuar çështjet e vazhdueshme rreth ndalimit të dinarit.

“Kënaqësi të takojë emisarin Escobar. E falënderova atë për përkrahjen amerikane dhe theksova nevojën për ta mbajtur përgjegjëse Serbinë për sulmin në Banjskë. Gjithashtu e informova për hapat që ka marrë qeveria në përkrahje të tranzicionit për rregulloren dhe i shpreha gatishmërinë tonë për të adresuar çështjet e vazhdueshme”, ka shkruar Kurti.

Kurti si dhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë disa herë kanë thënë se dinari s’mund dhe s’do të diskutohet në dialog, meqenëse sipas tyre ky është një vendim i organit të pavarur siç është BQK-ja. Madje edhe në takimin e fundit në Bruksel delegacionit të Kosovës i priu Guvernatori i BQK-së.

Më 1 shkurt, Banka Qendrore e Kosovës fuqizoi një rregullore, e cila e përcaktoi euron si valutë të vetme për pagesa me para të gatshme në Kosovë.

Rregullorja, rrjedhimisht, ndaloi përdorimin e dinarit, valutë në të cilën komuniteti serb në Kosovë pranon pagesa të ndryshme nga Serbia – nisur nga pagat e pensionet e deri te shtesat për fëmijë. Rregullorja shkaktoi zemërim në mesin e serbëve, por edhe te bashkësia ndërkombëtare. Kjo e fundit kërkoi pezullimin e saj, derisa qytetarët e prekur të përshtaten me praktikën e re.

Autoritetet në Kosovë, deri më tash, nuk treguan shenja të zmbrapsjes. BQK-ja tha vetëm se do të ketë një periudhë tranzicioni për zbatimin e saj, por jo më gjatë se tre muaj.