Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka kërkuar nga Kosova e Serbia që t’i zbatojnë të gjitha zotimet e dhëna në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Nga Austria, në një konferencë për media me ministrin e Jashtëm austrian, Alexander Schallenberg, të dy liderët kanë thënë se kanë diskutuar për çështjet e Ballkanit Perëndimor. Blinkeni ka deklaruar se rajonin e ka në zemër, pasi ky ka qenë edhe fokusi kur kishte nisur punën si zyrtar në të ’90-at.
Duke porositur se “njerëzve të Ballkanit Perëndimor nuk u duhet kthimi prapa”, Blinkeni ka shtuar se “po shkojmë në drejtim pozitiv, në të cilin Ballkani integrohet në Evropë”.
Ai e ka cilësuar sërish dialogun e lehtësuar nga BE-ja shtegun e duhur përpara.
“Duhet të shohim përpjekje në mirëbesim dhe konstruktive nga të dy palët, Kosova dhe Serbia, për t’i stabilizuar marrëdhëniet dhe të shkohet drejt asaj rruge. T’i mbajnë tensionet në nivel të ulët, të rrisin koordinimin, të rrisin transparencën me partnerët ndërkombëtarë, t’i zbatojnë të gjitha përkushtimet që janë në dialog”, ka thënë ai.