Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Bundestagut gjerman, Michael Roth, i ka reaguar emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, i cili tha se Kosova ka edhe dy kritere pa përmbushur për anëtarësim në Këshill të Evropës.
Roth e ka quajtur të pakuptimtë që SHBA-ja të flasë për këtë gjë. Ndërkaq, ka thënë se qasja e pabalancuar ndaj Kosovës duhet të marrë fund menjëherë. Ka theksuar se është vetë Këshilli i Evropës që vendos e jo SHBA-ja.
“Është krejtësisht e pakuptimtë që SHBA-ja vë kushte shtesë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Kjo qasje e pabalancuar e SHBA-së ndaj Kosovës duhet të ndalet përfundimisht. Është e padrejtë. Këshilli i Evropës dhe shtetet e saj anëtare janë në ulësen e shoferit – jo SHBA-ja!” ka shkruar ai.
Edhe deputetë të tjerë gjermanë i kanë reaguar emisarit amerikan një ditë më parë. Frank Schwabe iu është drejtuar Escobarit se “ne do të vendosim mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim bazuar në rregullat dhe vlerat tona”. Kurse, Knut Abraham, po ashtu i ka thënë se për anëtarësimin e Kosovës Këshilli vendos si i pavarur.