Gjatë vitit 2023 në burgjet e Kosovës janë parandaluar 60 raste të kontrabandës, është njoftuar nga drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani.
Dibrani për “Ekonomia Online” tha se sasia më e madhe e kontrabandës me lëndë narkotike në burgje ka qenë gjysmë kilogrami.
Ai thotë se kontrabanda ndihmohet nga furnizuesit e familjarët e të burgosurve.
“Afër 60 raste vetëm në vitin 2023 kemi arritur të parandalojmë raste të kontrabandës përmes familjarëve por edhe përmes vetë të dënuarve. Fatkeqësisht kemi pas raste kur edhe përmes kompanive të ndryshme të cilat furnizojnë institucionet tona është tentuar të kontrabandohet, por edhe në këtë aspekt kemi avancuar edhe me pajisje teknologjike por edhe në këtë drejtim neve na ka ndihmuar shumë edhe fuqizimi i njësisë së inteligjencës e cila funksionon në kuadër të shërbimit korrektues. Kemi pranuar nga kjo njësi informacione që na ka ndihmuar të parandalojmë numrin e madh të këtyre rasteve, natyrisht janë në burgje dhe forma dhe metoda për futjen e kontrabandës janë të shumta dhe nuk mund të eliminohen në asnjë rrethanë”, thotë ai.
E personat që janë të thirrur për ta parandaluar kontrabandën, shpesh herë përfshihen në veprimtari kriminale. Drejtori i ShKK-së thotë se ka raste kur zyrtarët e Shërbimit Korrektues janë kapur duke tentuar të fusin kontrabandë.
“Fatkeqësisht kemi pas raste por që numri më i vogël është kur zyrtarët tanë kanë tentuar të fusin kontrabandë por që fatkeqësisht ata janë përfunduar përveç që kanë humbur vendin e punës ka raste edhe kur janë arrestuar dhe dënuar dhe ka raste kur vazhdojnë me e mbajt dënimin”, thotë Dibrani.
Ndonëse nuk kanë statistika të sakta për numrin e të burgosurve në burgje e qendra korrektuese, Dibrani thotë se numri i tyre nuk kalon mbi 1800 të burgosur.
“Gjendja momentale kur po flasim sot i kemi 1600 persona që mbahen në institucione korrektuese. 1100 janë të dënuar dhe 500 të paraburgosur. Këto shifra variojnë por nuk e kalon numrin 1700 apo 1800”, thotë Dibrani.