Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas, e vlerëson të qetë por ende të brishtë situatën e sigurisë pas tensioneve të vitit të kaluar në veri të Kosovës.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ulutas tha se KFOR-i po vazhdon përpjekjet për të parandaluar çdo përshkallëzim ndërsa mbetet i gatshëm t’i përgjigjet çdo sfide që mund të ndodhë. Ai tha se sulmi i 29 majit mbi trupat e KFOR-it dhe sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit në veri ishin të paprovokuara dhe të papranueshme, duke bërë thirrje që autorët e një dhune të tillë të mbahen përgjegjës.}
Ulutas tha se një nga përparësitë e KFOR-it është që të ndërtojë marrëdhënie dhe të përpiqen të kuptojnë shqetësimet e banorëve lokalë dhe përceptimin e tyre mbi sigurinë.
“Në përgjithësi, situata në terren është e qetë, por mbetet e brishtë. Ne jemi duke ndjekur nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë, duke përfshirë veriun e Kosovës dhe posaçërisht në disa komuna atje, përmes një pranie të dukshme dhe fleksibile, që përfshin patrullime të rregullta dhe angazhim me komunitetet lokale. Pas rritjes së tensioneve vitin e kaluar, NATO-ja ka vendosur qindra trupa shtesë. Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullimeve, duke përfshirë edhe zonën përgjatë vijës administrative të kufirit. Misioni ynë aktualisht numëron rreth katër mijë e 600 trupa, nga 28 vende kontribuuese, duke përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që misioni i KFOR-it të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Një nga përparësitë tona është të ndërtojmë marrëdhënie dhe të përpiqemi të kuptojmë shqetësimet e banorëve lokalë dhe perceptimin e tyre mbi sigurinë. Ky është çelësi për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe për të kontribuar në qëndrueshmërinë e rajonit. KFOR-i gjithashtu vazhdon të krijojë kornizën e nevojshme të sigurisë që dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara. Kjo është e vetmja rrugë drejt paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjate. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi sfidave të mundshme, duke përshtatur praninë tonë sipas nevojës, në përputhje me mandatin tonë. Ne vazhdojmë të veprojmë si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, me të cilët ne bashkëpunojmë dhe bashkërendohemi në mënyrë të rregullt.
Duke folur mbi rrezikun nga përshkallëzimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, komandanti i KFOR-it tha se shqetësimet i merr shumë seriozisht.
“Si komandant i KFOR-it, unë i marr shumë seriozisht shqetësimet e tyre. Ne jemi duke vëzhguar nga afër çdo zhvillim të sigurisë në rajon. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Ne kemi një marrëdhënie të gjatë tashmë me të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë zonë. Ne angazhohemi me ta në baza të rregullta. Ne e dimë se të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dëshirojnë dhe meritojnë paqe dhe siguri të qëndrueshme. Siç tha edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, nëntorin e kaluar, “qëndrueshmëria në rajon varet nga të gjitha palët që duhet të zgjedhin diplomacinë mbi dhunën. NATO-ja mbështet fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Të dyja palët duhet të angazhohen në mirëbesim. Kjo është e vetmja mënyrë për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”, tha ai.