Një person është arrestuar të martën pasi dyshohet se kishte goditur me veturë tre viktimat (një mashkull dhe dy femra) dhe ishte larguar në drejtim të panjohur.
Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se aksidenti kishte ndodhur më 17.03.2024 në Deçan.
“Më 19.03.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti me datën e lartë cekur ka goditur me veturë tre viktimat, një mashkull dhe dy femra kosovarë dhe ishte larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në raport.
Ndërkaq, sipas raportit viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.