Fjalë Kyçe

KFOR: Situata në Kosovë e qetë por e brishtë, palët të përmbahen nga retorika

KFOR: Situata në Kosovë e qetë por e brishtë, palët të përmbahen nga retorika

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese dhe retorika përçarëse dhe të angazhohen në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Aktualisht situata në Kosovë, sipas këtij misioni, është e qetë por vazhdon të mbetet e brishtë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 21.03.2024, ka deklaruar se njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, duke i vlerësuar ato veprime si “provokime të qëllimshme”.Në një përgjigje për KALLXO.com, KFOR thotë se pas tensioneve të fundit, kanë disklokuar rreth 1000 trupa shtesë në Kosovë dhe ka rritur prezencën në veri të Kosovës.“Gjithashtu kemi trefishuar numrin e patrullave duke përfshirë ato përgjatë vijës kufitare administrative. Prandaj, KFOR-i ka një prani fleksibël dhe të dukshme në mbarë Kosovën, gjë që i mundëson misionit tonë të monitorojë nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë dhe t’i përgjigjet të gjitha situatave që ndikojnë në një mjedis të sigurt” ”-thuhet në përgjigjen e KFOR-it.Misioni paqeruajtës thotë se është i gatshëm t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.“Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë përmes mjeteve të ndryshme, duke përfshirë – ndër të tjera – patrullimet, angazhimet me popullatën vendase dhe dialogun e rregullt me ​​një gamë të gjerë homologësh- përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë në Kosovë, shefin e Shtabit të Armatosur të Serbisë, Misionn e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, OSBE-në dhe trupin diplomatik”- është përgjigjur KFOR-i për KALLXO.com.Për më tepër, KFOR-i thekson se vepron në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, respektivisht si reagues i parë dhe i dytë i sigurisë.

KFOR-i thotë se do të vazhdojë të krijojë kornizën e sigurisë të nevojshme në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në mënyrë që çështjet e pazgjidhura të zgjidhen për të mirën e të gjitha komuniteteve.“Ne besojmë se të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese dhe retorika përçarëse dhe të angazhohen në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE. Siç tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës së tij në rajon nëntorin e kaluar, ‘stabiliteti varet nga të gjitha palët që zgjedhin dialogun dhe diplomacinë në vend të konfliktit dhe dhunës’”- është theksuar nga KFOR-i.Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, James O’Brien ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e di mirë se çfarëdo përdorim i forcës ndak Kosovës do të ishte i papranueshëm.

Kështu tha O’Brien në një takim online me gazetarë, duke shtuar se çdo përdorim i forcës nga ana serbe, do i vente në rrezik ushtarët e NATO-s që janë në Kosovë.“Në Serbi, presidenti Vuçiq e di mirë se çfarëdo përdorim i forcës ndaj Kosovës do të ishte i papranueshëm pasi kjo i vë në rrezik ushtarët e NATO-s që janë atje për të mbrojtur popullatën qoftë serbe apo dhe shqiptare. Këto ushtrime ne po i gjurmojmë ato por se çështja kyçe këtu është se palët duhet t’i reduktojnë tensionet në regjion, edhe ato veprime që nuk ndërlidhen direkt me ushtrimet e [ushtrisë]”- tha O’Brien.Kryeministri Kurti ka thënë se janë të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta, por ka shprehur bindjen se ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën.Kurti ka njoftuar se janë duke i vëzhguar me kujdes trupat serbe se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa theksoi se edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal.Ndërkaq, Kryetari i Komisionit për zbatimin e Marrëveshjes Ushtarako-Teknike (Marrëveshja e Kumanovës), Zoran Jovanoviq, i ka quajtur “vazhdimësi e fushatës dezinformuese drejtuar kundër Forcave të Armatosura të Serbisë”, deklaratat e kryeministrit Kurti.

Ai ka thënë se ushtria serbe po kryente detyra të rregullta për sigurimin e kufirit dhe kontrollin e zonës së sigurisë tokësore, që sipas tij, janë në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara.