Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti po kërkon viktimizimin me deklaratat e tij se është i gatshëm për zgjedhje të reja, tash kur ka hyrë në vitin e katërt të mandatit.
Të enjten kryeministri Kurti në një intervistë për televizionin publik u shpreh se është i gatshëm të diskutojë me opozitën për të çuar vendin në zgjedhje. Ai u shpreh i gatshëm për zgjedhje të reja, ndërsa të premten tha se nuk do të dorëhiqet për të mundësuar realizimin e kërkesës së opozitës. Ai deklaroi se me opozitën mund të dakordohet për të shpërndarë Kuvendin dhe jo që ta çojë vendin në zgjedhje nëpërmjet dorëheqjes.
Ndërsa Haziri pas deklaratës së Kurtit, ka shkruar në Facebook duke thënë se LDK-ja s’do të bëjë mocion, por është e gatshme për zgjedhje kur të largohet Kurti.
“Siç ka deklaruar Kryetari i LDK-se mbrëmë, kryeministri Kurti është dorëzuar e po kërkon viktimizimin. LDK nuk bën mocion, por është e gatshme për zgjedhje kur vendi mbetet pa Kryeminister, dhe natyrisht për qeverisje. LDK nuk ia mundëson e as mundëson dëshirën për viktimizim. Veç dorëheqja pas dorëzimit! LDK është gati për të gjitha!” ka shkruar ai.