Komuna e Prishtinës ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes, pasi sot pasdite mund të ketë vërshime dhe erëra të forta.
Në njoftimin e bërë për media, Komuna e Prishtinës ka publikuar numrat ku mund të thërrasin qytetarët, transmeton Telegrafi.
“Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se sonte do të kemi vërshime të shpejta dhe erëra të forta gjatë ditës. Andaj, ju lutemi të keni kujdes. Rrini larg pemëve dhe objekteve, shtyllave elektrike. Çdo rast rreziku ju lutemi raportoni në Qendrën Emergjente të Kryeqytetit në numrat: 0800 112 33 ose 0800 112 44”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar rrezikun për mundësinë e vërshimeve të shpejta.
Sipas një njoftimi nga IHMK, probabiliteti për tejkalim të periudhës së kthimit të përmbytjeve pesë vjeçare është 35 për qind.
Ndërkaq, mundësia për të tejkaluar një prag të periudhës së kthimit të përmbytjeve 20-vjeçare është 15 për qind.