Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar themelimin e komisionit hetimor për kontrata njëburimore
Ai ka shkruar në Facebook të hënën se Qeveria Kurti i ka keqpërdorur mbi 150 milionë euro nëpërmjet kontratave të tilla, duke shtuar se këto “janë burim i korrupsionit”.
“Pushteti i Albin Kurtit, vetëm në shtatë institucione, ka keqpërdorur mbi 150 milion euro taksa të qytetarëve përmes kontratave njëburimore që janë burim i korrupsionit. Ky skandal duhet dhe do të hetohet deri në fund. Jo vetëm këto kontrata por edhe miliona eurot e tjera, shpenzimi i të cilave është bërë në mënyrë të kundërligjshme”, ka deklaruar Tahiri.
Deputeti i partisë opozitare ka shtuar se shumica në Kuvend e ka mundësinë të votojë për themelimin e këtij komisioni “për t’u bashkuar në kërkesën për llogaridhënie”. Sipas tij, çdo tentim për bllokim ose refuzim të themelimit është dëshmi e panikut dhe frikës.
“Shumica parlamentare e ka mundësinë që të votojë këtë komision e të dëshmojë vullnetin për t’u bashkuar në kërkesën për llogaridhënie që duhet ta ushtrojë Kuvendi. Në të kundërtën, çdo tentim për bllokim ose refuzim të themelimit të këtij komisioni është dëshmi e qartë e panikut dhe frikës për t’u ballafaquar me faktet dhe të vërtetën e cila herët ose vonë do të triumfojë. Hetimi do të ndodhë patjetër”, ka shtuar ai.