Egzon Haziri ka mbetur i vrarë mbrëmë si pasojë e të shtënave me armë zjarri në rrugën ‘Jeronim De Rada’, ndërsa tre persona tjerë u plagosën. Në mesin e të plagosurve ishte edhe Zejnie Gashi, 48-vjeçare, e cila u dërgua me urgjencë në spital për tretman mjekësor. Mirëpo ajo s’ka arritur që t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ka ndërruar jetë sot në spital, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin për vdekjen e saj ka konfirmuar shefi i Klinikës së Mjekimit Intensiv në QKUK, Shaqir Uka.
“Ka pasur dëmtim të lartë të enëve të gjakut dhe kockës së këmbës së majtë. Këto lëndime e kanë quar pacienten në gjendje të shokut. Pas operimit në Emergjencë është sjellur në Intensivë. Tek ne është sjellur në gjendje shumë të rëndë, në shok të rëndë. Pavarësisht tretmanit dhe përpjekjeve të stafit, ajo ka ndërruar jetë para pak çastesh”, ka thënë Uka.
Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe dy të rinjtë, Lum Halimaj dhe Bilall Kqiku, pasi të njëjtit ishin në vendin e ngjarjes në momentin kritik.
Sipas informacioneve që posedon Gazeta Sinjali, gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe ata janë jashtë rrezikut për jetë.
Kujtojmë se dy të dyshuarit, vëllezërit Naim dhe Ahmet Berisha janë arratisur nga vendi i ngjarjes dhe Policia po vijon hetimet për lokalizimin e vendndodhjes së tyre.
Si nisi konflikti mes “Cucit” dhe vëllezërve Berisha që përfundoi me dy viktima në Kolovicë?
Dje rreth orës 13:00 të ditës u raportua për të shtëna me armë zjarri në lagjen “Kolovicë”. Burimet të Gazetës Insajderi thanë se aty ka nisur konflikti mes Fitim Dodës i njohur me nofkën “Cuci” dhe Naim Berishës.
Konflikti i tyre nuk mbaroi këtu. Banorët e lagjes “Kolovica” u trazuan edhe njëherë në mbrëmje. Rreth orës 22:00 u dëgjun përsëri të shtëna.
Insajderi shkruan se dy vëllezërit Naim Berisha dhe Ahmet Berisha i kanë dal në prit Fitim Dodës për t’iu hakmarrë pas incidentit që kishte ndodhur në mesditë.
Në momentin kur ka ndodhur sulmi bashkë me Fitim Dodën në makinë ka qenë edhe katër persona të tjerë. Në mesin e tyre ishte edhe viktima Egzon Haziri i cili nga plagët e marra nga plumbat ka vdekur në vendin e ngjarjes.
Sipas dëshmitarëve, krejt kjo ka ndodhur për shkak të një mosmarrëveshje në komunikacion.
Policia e Kosovës iu është vënë nga mbrapa dy personave që dyshohen për vrasjen e 30 vjeçarit nga Podujeva.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj ka konfirmuar se sipas hetimeve preliminare bëhet fjalë për një person të vrarë dhe tre tjerë të plagosur. Sipas saj, gjendja e njërit nga personat e plagosur është e rëndë.
“Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, ju njoftojmë se prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe bashkë me njësitë relevante kanë ndërmarrë veprime hetimore në vendin e ngjarjes. Sipas hetimeve preliminare dyshohet se nga të shtënat me armë zjarri është vrarë një person, ndërsa tre persona të tjerë janë plagosur dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ku njëri prej tyre e ka gjendjen me të rëndë shëndetësore. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja, veturë e prova të tjera materiale të cilat do të shërbejnë në procedurën penale”, tha ajo.