Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq e ka mirëpritur vendimin e Komisionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që është marrë të mërkurën, ku rekomandohet që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e KiE-së.
Ai ka thënë se Kroacia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjitha organizatat ndërkombëtare.
“E mirëpres vendimin e sotëm të Komisionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të rekomanduar anëtarësimin e Kosovës në KiE. Kroacia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, ka shkruar ai në platformën X.
Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE-së ka miratuar të mërkurën raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e kësaj organizate.
Sipas këtij komiteti, më 18 prill do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë.