Ambasadori i Kosovës në Zagreb Martin Berishaj ka dhënë sot deklaratën e tij në Prokurorinë Speciale të Kosovës (PSRK) pas pretendimeve për përfshirje në një aferë financiare.
Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu ka lëshuar një komunikatë mbi intervistimin e ambasadorit Berishaj nga Prokuroria Speciale.
“Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ambasadori, i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot me ftesë të Prokurorisë Speciale, me dyshimet për veprat penale ‘’Shpëlarja e parave’’, ‘’Shmangia nga tatimi’’ dhe ‘’Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’’”.
“Po ashtu, ju njoftojmë se ambasadori Martin Berishaj, edhe më herët është ftuar për intervistim, por vet Berisha kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale që të shtyhet intervistimi, për shkak të angazhimit të tij si ambasador”.
Gjatë ditës, avokati mbrojtës Tomë Gashi shkroi në Facebook se Martin Berishaj kishte paraqitur kërkesën për të dhënë deklaratë sqaruese pas disa pretendimeve që kishin dalë në media.
“Martini tashmë ka dhënë deklaratë në PSRK. Deklarata e tij është konfidenciale”, ka thënë Gashi, duke shtuar se nuk mund të deklarohet më shumë për përmbajtjen e kësaj deklarate.
Ndryshe, më herët ishte raportuar për një aferë financiare të ambasadorit Martin Berishaj në Slloveni. Berishaj shërben si ambasador i Kosovës në Kroaci që nga viti 2021. Ai ka shtetësi sllovene dhe para dekretimit si ambasador në Kroaci atij i është dhënë shtetësia e Kosovës nga presidentja Vjosa Osmani.