Fjalë Kyçe

Kurti: Do të jemi gjithmonë adresë dhe krah për shqiptarët e Luginës

Kurti: Do të jemi gjithmonë adresë dhe krah për shqiptarët e Luginës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një postim në Facebook ka thënë se në këtë tri vjet qeverisjeje, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk po lihen më në harresë e të pambrojtur. Sipas Kurtit, ata tash gëzojnë kujdesin e përkrahjen tonë gjithnjë e më të madhe, çdo vit e më shumë.

Kurti thotë se Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës, derisa ka përmendur se në vitin 2022 kanë ndarë dy milionë euro, dhe tani kanë buxhetuar tre milionë euro.

“Me qeverinë tonë Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës. Për vitin 2022 ndamë 2 milionë euro. Këtë vit të buxhetuar kemi 3 milionë euro. Vëmendja jonë dhe ndihma nuk ka munguar as para kësaj. Në qeverisjen tonë të parë, në vitin 2020, patëm ndarë gjysmë milioni euro në përballjen e tre komunave me shumicë shqiptare me pandeminë Covid-19. Vitin pasues, kur Komuna e Preshevës u godit nga vërshimet, ndamë 100 mijë euro mbështetje për tejkalim dhe rikuperim të dëmeve”, shkroi Kurti në Facebook.

Tutje ai tha se siguruan libra shkollorë dhe parashkollorë në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë për vitet 2022 dhe 2023. Ndërsa për 107 studentë, siguruan 107 bursa studimore.

“Juristëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës që kanë leje qëndrimi në Kosovë ua mundësuam aplikimin për dhënien e provimit të jurisprudencës. Profesionistëve shëndetësorë mundësinë e licensimit 5-vjeçar të punës në institucione shëndetësore këtu në vend. Studentëve të diplomuar të mjekësisë kuota për shkollim specialistik dhe mbështetje financiare në nivel të barabartë me specializantët nga Kosova”, ka shkruar kreu i Qeverisë në Facebook. “Me drejtësi, zell e shpërndarje të barabartë, dhe me trajtim vëllazëror sa edhe kombëtar, do të jemi gjithmonë adresë, shtëpi dhe krah për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.