“A ishin te ti për regjistrim?”, “sa zgjati procedura?”, “çfarë pyetjesh patën?” – këto janë vetëm disa prej copëzave të muhabeteve që po bëhen ditëve të fundit në lidhje me regjistrimin e popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave në Kosovë.
Procesi, që realizohet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka nisur më 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj.
Të gjithë janë të obliguar t’i përgjigjen pothuajse secilës pyetje, sepse, në të kundërtën, mund të gjobiten – individët me nga 30 deri në 2.000 euro, kurse bizneset deri në 20.000 euro.
Demografia
Përmes regjistrimit, shteti e ka parasysh shtrirjen e popullatës nëpër komuna dhe vendbanime. Kështu ka thënë Bekim Salihu, nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP në Prishtinë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
“Komunat marrin buxhet edhe nga Qeveria, përveç të hyrave vetjake, dhe njëra prej formave se si ndahet buxheti nëpër komuna është formula bazuar në numrin e popullsisë. Nëse një komunë del që ka rënie të madhe të popullsisë, padyshim që ajo do të reflektohet që nga viti i ardhshëm në buxhetin e asaj komune”.
Nga ndarjet buxhetore, më pas, reflektohen investimet kapitale dhe kapaciteti i një komune për t’i kryer punët e parapara.
Situata ekonomike
Gjendja reale mbi lëvizjet brenda shtetit mund të jetë efektive për qytetarët edhe në krijimin e një ideje mbi mundësitë që kanë para vetes.
“Këto janë lëvizje kryesisht të natyrës ekonomike. Kjo mund të tregojë për një individ se cili vend është më i përshtatshëm për të lëvizur, nëse dëshiron të ketë një punë të caktuar, ose një të ardhme të caktuar brenda një profesioni të caktuar”, ka thënë Arian Lumezi prej Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari” në Prishtinë.
Sipas Lumezit, që nga regjistrimi i fundit i popullsisë, më 2011, kanë ndodhur shumë ndryshime – pandemia e koronavirusit, pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë, liberalizimi i vizave – andaj është e domosdoshme një pasqyrë më e mirë e trendëve ekonomikë.
Lumezi ka thënë se të dhënat e reja do të tregojnë më shumë edhe për standardin e jetës në Kosovë: “Ka një paqartësi se çfarë quajmë rritje të pagës, raporti me inflacionin, rritjen e çmimeve e të tjera”.
Ai beson se, për qytetarët, është shumë e rëndësishme të kuptohet nëse ka pasur inflacion të mirëfilltë apo të manipulueshëm, me qëllim të rritjes së çmimeve.
Gjendja e komuniteteve
Hulumtuesit besojnë se është shumë e rëndësishme që të kuptohet më shumë për gjendjen e minoriteteve në Kosovë.
Sipas regjistrimit të fundit, më 2011, 91 për qind e banorëve të Kosovës janë shqiptarë, 3.4 për qind janë serbë, ndërsa 5.6 përqindëshi tjetër përbëhet nga boshnjakët, goranët, turqit, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – u ka bërë thirrje serbëve të mos marrin pjesë në regjistrimin e sivjetmë të popullsisë në Kosovë, sikurse më 2011.
Salihu dhe Lumezi besojnë se regjistrimi do të ndihmonte në nxjerrjen e një pasqyreje të qartë dhe të kontekstit në të cilin jetojnë minoritetet në Kosovë, në veçanti serbët në pjesën veriore.
“Qarkullojnë fjalë që në veri jetohet shumë më mirë sesa në pjesët tjera të Kosovës, sepse atje njerëzit nuk kanë paguar rrymë. Këto gjëra, në përgjithësi, nuk qëndrojnë, pasi, nëse shkon vetë, e sheh që jeta nuk është ashtu si paraqitet, dhe nuk lidhet gjithçka me të ardhurat apo pensionet”, ka thënë Lumezi.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milion, prej të cilëve rreth 25.000 janë serbë. Megjithatë, sipas vlerësimeve të organizatave joqeveritare serbe në Kosovë, në këtë vend jetojnë rreth 100.000 pjesëtarë të komunitetit serb.
Dëmet e luftës
Për herë të parë, në kuadër të regjistrimit, është përfshirë edhe një formular për regjistrimin e dëmeve që u janë shkaktuar ekonomive familjare gjatë luftës.
Salihu, ndonëse e mirëpret nismën, beson se do të ishte më mirë që “kjo të bëhej më 2011, për shkak që po ndryshojnë gjeneratat, e kujtesa dhe shumë gjëra mund të harrohen”.
Autoritetet, në të kaluarën, kanë thënë se vlera e dëmeve ekonomike që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës në luftën e viteve 1998-‘99 është rreth 22 miliardë euro, mirëpo të dhëna publike nuk ekzistojnë.
Kush do t’i përdorë të dhënat?
Përveç autoriteteve shtetërore, një pjesë të të dhënave do të mund t’i përdorin edhe hulumtuesit, mediat, akademia, e organizatat joqeveritare dhe ato ndërkombëtare, për përpilim të raporteve të ndryshme.
ASK-ja ka paralajmëruar që rezultatet preliminare të regjistrimit do t’i publikojë brenda tre muajve.
Të gjitha informacionet që japin qytetarët janë të fshehta dhe është shumë e rëndësishme që informacionet të jepen të sakta.
Si Salihu, ashtu edhe Lumezi, besojnë se autoritetet nuk kanë bërë mjaftueshëm për vetëdijesimin e popullsisë për rëndësinë e këtij procesi, prandaj disa qytetarë kanë dilema rreth regjistrimit.
“Këto të dhëna nuk mblidhen për qëllime të tatimit, por bëhen me qëllim të studimit… nuk do të thuhet, shembull, Bekimi i ka 10 prona, por thuhet se Prishtina i ka 10 prona. Merret tërësia dhe jo veçantia”, ka shpjeguar Salihu.
ASK-ja ka thënë se regjistrimin po e zhvillon në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, dhe se një ekip i Brukselit do ta vëzhgojë procesin, ndërsa në fund edhe do ta vlerësojë atë.